Art & Kulturë

“Veriti” nga autorja Colleen Hoover/E vërteta e kujt është e gënjeshtërt? Kritikë!

E vërteta e kujt është e gënjeshtërt? Ky libër është një thriller psikologjik që do t’ju mbajë zgjuar natën e do t’ju fiksojë që në faqet e para nga autorja nr 1. e librave më të shitur të New York Times, Colleen Hoover, autore e “Too Late” dhe “It Ends With Us”.

Louen Eshli është një shkrimtare e re, e cila po përballet me vështirësi financiare. Papritmas, i vjen një ofertë që nuk mund ta refuzojë, sepse do t’i sjellë të ardhura që nuk i ka imagjinuar kurrë. Xheremi Kroford, bashkëshorti i shkrimtares së suksesshme Veriti Kroford, e punëson për të përfunduar serinë e librave të së shoqes, e cila ka pësuar një aksident automobilistik me pasoja të rënda shëndetësore. Loueni mbërrin në shtëpinë e Krofordëve e vendosur për të gjetur ndihmë në shënimet e Veritisë, që të nisë nga puna me librat. Ajo as që e ka idenë se në studion kaotike të shkrimtares së mirënjohur nuk e presin shënimet për librat, por autobiografia e saj, të cilën e kishte shkruar me idenë se nuk do ta lexonte askush. Faqe pas faqeje zbulohen rrëfime drithëruese, përfshirë një përshkrim të detajuar të natës kur jeta e familjes Kroford do të ndryshonte përgjithmonë.

Loueni vendos të mos ia dorëzojë dorëshkrimin Xheremit, por teksa ndjenjat e saj për të rriten dita-ditës, kupton se ai duhet ta lexojë se ç’ka rrëfyer e shoqja. Sado i përkushtuar të jetë ndaj gruas së sëmurë, një e vërtetë aq e kobshme me siguri që do ta çrrënjosë dashurinë e tij për të.

Nëse ju ka rënë në duar ndonjë libër i Znj. Colleen Hoover në të shkuarën dhe e keni lexuar, gjasat janë të mos doni të lexoni më asgjë prej saj. Por si çdo gjë në këtë jetë – ku ka keq, mund të bëhet edhe më keq – por natyrisht brenda të keqes mund të gjesh edhe diçka të mirë, qoftë edhe pak më të mirë.

Në kërkime për materiale që do të frymëzonin realizimin e një filmi dramë/thriller – më sugjeruan “Veriti” një libër i një prej autoreve më të lexuara të viteve të fundit, kryesisht për shkak të historive lehtësisht të lexueshme pa shumë mendim, e pse jo, thellësisht argëtuese deri në velje apo përçmim nga ana e [një pjesë të] lexuesit.

“Kisha vite që prisja të lexoja një triller të tillë”.

– Tarryn Fisher, shkrimtare.

Kur Fisher shkruan këtë fjali nuk e dimë a e ka për mirë apo për keq, sidoqoftë, nga Hoover ka më keq, kjo është pak por e sigurt. Ky është tipiku i librave të verës, nga ato që lexohen brenda një pasdite të vetme në shezllon. “Veriti” nis me një takim rastësor prej kupidi të dy personazheve kryesore, Louen dhe Xheremi, mbas një aksidenti rrugëve kaotike të New York-ut. Brenda pak faqeve do të kuptojmë se njësoj si ato rrugë është edhe jeta e tyre, e mbytur në kaos, melankolike prej humbjeve. Shpejt dy ‘të panjohurit’ do t’i lidhë puna: Louen, shkrimtare me profesion do të punësohet nga Xheremi për një shumë të majme parash për të përfunduar serinë e librave të bashkëshortes së tij, që është në gjëndje vegjetative pas një aksidenti të rëndë automobilistik. Duke qënë një shkrimtare e mirënjohur – puna e propozuar e kap Louen gafil dhe të lëkundur, por e gjendur në udhëkryqin e jetës – ajo e merr përsipër këtë sfidë – pa e ditur që  ajo që vështirësitë që mendonte do të kishte, ishin lojë fëmijësh në krahasim me ato që do të gjente brenda mureve të shtëpisë së Veritisë.

Në studion e shkrimtares fatkeqe ajo zbulon dorëshkrimin e një autobiografie të shkruar jo shumë kohë para aksidentit, faqet e së cilës do ta trondisin thellësisht. Veriti nuk është ajo që duket – lidhja e saj me Xheremin aq më pak – gjithaq familja e historia e tyre e trishtë. Kështu nis të shpërfaqet një dramë e rëndë psikologjike.

Me çdo faqe që lexojmë gjithmonë kuptojmë se kemi gabuar në leximin e parë të personazheve në krye të herës.

Thrilleri, misteri, horrori dhe suspansa janë të pranishëm gjatë gjithë kohës, në një libër që duket sikur është shkruar posaçërisht për t’u kthyer në një serial apo film (që nuk është e largët si ditë – pak javë më parë ishte vetë autorja e librit që lajmëroi se janë blerë të drejtat e librit). Një libër që lexohet shpejt sepse dëshira për të zbuluar atë që do të ndodhë më pas është e madhe. Hoover është manipuluese duke përdorur një gjuhë të thjeshtë, por eksplicite që e bën leximin joshës dhe argëtues (Nuk mbaj mend një roman me kaq shumë gojore në të). Misteri qëndron deri në faqen e fundit duke të lënë në pikëpyetje për të gjitha ndjesite që kishe krijuar karshi personazheve deri në këtë pikë.

Edhe pse ndonjëherë nuk mund të mos e thuash që të duket sikur po lexon një horror të dorës së dytë që mbase mund të skandalizojë një adoleshent por mund t’i duket një letër mbështjellëse një lexuesi të pasionuar, ka pjesë të librit që janë vërtet të vështira për përtypur nga çdo lexues; për shembull pjesa kur Veriti përshkruan ndjesitë e saj prej nënë që nuk i duron dot vajzat binjake dhe do të vrasë njëren prej tyre – imtësitë e skenave përshtjellojnë edhe stomakun më të fortë – ju sfidoj për këtë.

Edhe pse Hooover nuk para shkruan thrillera – është zhanri që i rri më mirë. Një nga librat e vetëm të Hoover që është kthyer në film “It Ends With Us” është vlerësuar edhe më keq se vetë libri nga kritika dhe shikuesi – një romancë patetike – njësoj si “Ugly Love”. “Veriti” nuk është [kaq] keq, uroj që Amazon, MGM ta përshtasë në diçka të kalueshme. Ndërkaq ky libër(th) mund të jetë patjetër një nga ata që lexohen nën hijen e çadrës suaj të plazhit nëse letërsia juaj e verës nuk doni që të jetë impenjative – por argëtuese. Xhanëm herë pas here na duhet të marrim një pushim nga gjërat serioze dhe të shpenzohemi në të kundërtat, sepse edhe të hash shëndetshëm gjithë kohës mund të bëhet e mërzitshme.