Një shtetas shqiptar është vrarë në Mal të Zi mëngjesin e kësaj të marte në qytetin e Tivarit.
Sipas medias malazeze “Vijesti”, bëhet fjalë për Edmond Mustafën, i cili u qëllua me armë zjarri. Policia ka arrestuar një shtetas të identifikuar si Dino Ibrahimoviç për vrasjen e Mustafës.
“Vijesti” raporton se viktima ka qenë anëtar i një grupi kriminal. Sipas dëshmitarëve okularë, viktima ka qenë me një grua në momentin kur u qëllua disa herë me armë zjarri. Autori, sipas dëshmitarëve, u largua me motor.
Mustafa është një emër mjaft i njohur për autoritet malazeze, pasi ai dyshohet se ishte anëtar i grupit kriminal të Skaljarit. Grup që akuzohet për trafikim droge dhe vrasje.
Sic raportojnë mediat malazeze, vitin e kaluar Mustafa kërkoi takim me kryeprokurorin special të vendit Vladimir Novoviq, me qëllim që, siç tha ai, të ndajë informacione të rëndësishme në me likuidimet dhe përgatitjet për vrasje të grupit në Mal të Zi.
Mediat thonë se vitin e kaluar, ai tregoi gatishmërinë e tij për të zbuluar emrat e porositësve dhe ekzekutuesve të 11 vrasjeve në Mal të Zi para Prokurorisë Speciale të Shtetit.
Nërkohë autori Dino Ibrahimoviç dyshohet për vrasje dhe mbajtje pa leje të armëve dhe lëndëve shpërthyese. Ibrahimoviç ndodhet në paraburgim dhe është marrë në pyetje në Prokurorinë e Lartë në Podgoricë, nën dyshimin se është autori i drejtpërdrejtë i vrasjes.
Policia ka sekuestruar armën dhe ka gjetur gjithashtu motivin e krimit, por nuk ka zbardhur më tepër detaje për momentin.
“Kam kryer një hetim në vend të ngjarjes së bashku me zyrtarët e Qendrës së Sigurisë së Tivarit dhe ekspertët e Qendrës Kriminalistike Danilovgrad, janë nxjerrë gjurmët nga vendi i ngjarjes, të cilat do të jenë objekt i ekspertizës së mëtutjeshme”, tha prokurori para gazetarëve.
Dëshmitarët okularë nga restorantet në rrugën ‘Marshall Tito’ thanë se dëgjuan disa të shtëna dhe se një grua ishte me viktimën.