Bota

Xi fton Putinin në Kinë/Shtëpia e Bardhë: Martesë jo e lumtur Kinë-Rusi!

Sot në ditën e dytë të vizitës në Moskë, presidenti i Kinës, Xi Jinping do të pritet nga homologu rus Vladimir Putin për të vijuar me pjesën zyrtare të axhendës. Ndërkaq, e ftoi shefin e Kremlinit në Kinë. Dy shtetet zotohen të thellojnë atë që e quajnë “partneritet pa kufi” dhe gjithashtu liderët dënuan Uashingtonin duke e akuzuar se tenton t’i izolojë, për të ndalur zhvillimin e Rusisë e Kinës.

Sipas Kremlinit zyrtar, Putin mund t’i ofrojë Xi-së “shpjegim të detajuar” për veprimet e Moskës në Ukrainë. Sot priten bisedime më të gjera për një sërë çështjesh.  Ndërkaq, zëdhënësi i Këshillit për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby u tha gazetarëve se Xi dhe Putin duket se janë “në një lloj martese me interes” e jo në një “martesë me dashuri”. Amerika mbetet e shqetësuar nga mundësia që Kina t’i ofrojë Rusisë armë vdekjeprurëse.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ofruan Ukrainës një tjetër ndihmë ushtarake prej 350 milion dollarësh për t’u mbrojtur në luftën kundër Rusisë. Sipas Pentagonit, “kryesisht, paketa e ndihmës përfshin municione”. Po ashtu, përfshihen pajisje për pastrimin e minave, cisternat e karburantit dhe sistemet e imazhit termik. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ndihma ushtarake amerikane ka arritur në mbi 30 miliardë dollarë.

Ndërkaq, mësohet se Rusia po intensifikon ofensivën në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut në 24 orët e fundit. Njoftimet vijnë në kohën kur kryeministri i Japonisë është nisur drejt Kievit për të treguar mbështetjen për Ukrainën, që po përballet me pushtimin e paprovokuar rus prej më shumë se një viti, nga 24 shkurti 2022.

Trupat ukrainase zmbrapsën 120 sulme, kryesisht të përqendruara në Bahmut. Ky qytet është pika qendrore e luftimeve që kanë shkaktuar humbje të mëdha te të dyja palët. Në raportim, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase shtoi se rusët kanë tentuar të përparojnë edhe në drejtim të Avdijivkës, Limanit, Marijnikës e Shahtarskut.