Bota

Zbarkime masive në Itali, mbi 2 mijë emigrantë në 24 orë/Tashmë dhe udhëtime “Bëje vetë”!

Në Lampedusa të Italisë nuk pushojnë zbarkimet e emigrantëve. 24 orët e fundit, ardhjet shënuan një kulm të ri me mbi 2 mijë refugjatë. 43 zbarkimeve të ditës së djeshme me gjithsej 1 mijë e 778 persona, i shtohen 267 refugjatë të orëve të para të mëngjesit, me gjashtë varka të vogla. Ata u shpëtuan nga OJQ Louise Michel e nga anijet patrulluese të kapitenerisë së portit dhe Guardia di Finanza-s. Në pikën e nxehtë Contrada Imbriacola ka 1 mijë e 831 vetë, për më pak se 400 vende.

Operacionet e shpëtimit

Gjatë natës duke u gdhirë e shtuna, OJQ Louise Michel tërhoqi dy varka me 78 emigrantë nga Guinea, Burkina Faso, Bregu i Fildishtë dhe Mali. Anija patrulluese V1102 e Guardia di Finanza-s shpëtoi 40 persona, përfshirë tetë gra e tre të mitur, të cilët ishin në një mjet lundrues të nisur nga Tunizia.

U gjetën mbi 40 emigrantë në Isola dei Conigli, por asnjë gjurmë nga varka. Ndërkohë, karabinierët italianë gjurmuan 43 persona nga Kameruni, Mali dhe Bregu i Fildishtë. Mes tyre ishin 14 gra e 5 të mitur. Mjeti i përdorur për transportin nuk është gjetur.

Një patrullë e Guardia di Finanza-s bllokoi 42 persona (12 gra dhe një të mitur) në plazhin Cala Croce. Po ashtu, u ndalua një varkë me 41 emigrantë (13 gra e 4 të mitur) me origjinë nga Bregu i Fildishtë, Kameruni, Gambia, Guinea dhe Nigeri.

Udhëtimi “Bëje vetë” i 25 tunizianëve për në Siçili të Italisë

Në agimin e së shtunës u kapën 25 tunizianë në ujërat e Lampedusas, duke përfshirë katër gra e një të mitur, në një varkë me motor jashtë. Nga rrëfimi i emigrantëve doli se udhëtimin e organizuan në mënyrë të pavarur.

Ne e blemë varkën, mblodhëm paratë dhe siguruam bidonat me karburant.

Deri tani, ata që zbarkonin tregonin se paguanin trafikantët me shuma të ndryshme parash, për t’i mundësuar udhëtimin drejt Italisë. Nëse konfirmohen, këto deklarata të reja nxjerrin në pah një aspekt të ri të fenomenit. Në Tunizi, vendasit duket se janë në gjendje të organizohen e të lundrojnë të pavarur për në Siçili.