Aktualitet Sociale

Zbatimi i marrëveshjes me Italinë për pensionet, në qershor takimi i parë!

Takimi i parë zbatues i marrëveshjes me Italinë për njohjen e pensioneve do të zhvillohet në 18 deri më 20 qershor, pra muajin e ardhshëm. Datat i dha ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndërsa dje vonë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe Italisë për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore. Nga akordi pritet të përfitojnë qindra mijëra pensionistë.

Nëntëdhjetë e dy deputetë votuan pro marrëveshjes për njohjen e pensioneve me Italinë në një seancë disaorëshe. Akordi u arrit dhe u nënshkrua më 6 shkurt në Romë nga kryediplomatët Igli Hasani dhe Antonio Tajani. Më herët gjatë paraqitjes së projektligjit, Gonxhja deklaroi se nga marrëveshja përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë e rreth 4 mijë shtetas italianë që jetojnë në Shqipëri.

Marrëveshja garanton që asnjë qytetar të mos humbasë asnjë ditë kontribute shoqërore e shëndetësore, pavarësisht vendit ku ka punuar. Po ashtu, mundëson bashkimin e periudhave të kontributeve për të përmbushur afatin prej 15 vjetësh, që është i nevojshëm për t’u kualifikuar për të përfituar pension. Pensionisti ka të drejtë të tërheqë përfitimet në çdo vend ku ai ndodhet.

Po në Kuvend, deputetja demokrate, Jorida Tabaku, tha se pensionistët “jetojnë në varfëri”. Pensioni mesatar në Shqipëri është 150 euro.

Të gjitha reformat, të cilat prekin më shumë se mandatin e një qeverie, duhet të jenë reforma të përbashkëta, duhet të jenë reforma që prekin në thelb sistemin nga njëra anë, por nga ana tjetër, janë dhe të qëndrueshme në kohë, që nuk ndryshojnë nga njëri vit në tjetrin.

Deri tani, Shqipëria ka firmosur marrëveshja të tilla me 16 shtete të tjera, ndërsa është në bisedime edhe me Serbinë e Poloninë. Por, ende nuk ka një marrëveshje me Greqinë, ku jeton një numër i madh emigrantësh shqiptarë. Gjatë një takimi në Athinë më 12 maj, kryeministri Rama bëri të ditur se po zhvillohen negociata për këtë çështje.

Dje, gjatë seancës plenare, që zgjati mbi 10 orë, opozita e cilësoi si pozitive marrëveshjen, por kërkoi më shumë informacion në lidhje me negociatat me Greqinë, si dhe akuzoi qeverinë për atë që e quan “dështim i skemës së pensioneve” në Shqipëri e për trajtim “aspak dinjitoz për moshën e tretë”.