Botë e Çuditshme Food & Drink

Zbulohet paraardhësja e picës!

Një afresk që përshkruan një paraardhës të mundshëm të picës italiane, është gjetur i ruajtur në mënyrë perfekte në murin e një shtëpie në Pompei, qyteti antik romak i zhdukur nga shpërthimi i vullkanit mbi malin Vezuv rreth 2000 vjet më parë. Por megjithatë, ekspertët mendojnë se ushqimi në imazh nuk mund të jetë pica, ndonëse Pompei është pranë Napolit, pasi 2000 vjet më parë nuk njiheshin përbërësit karakteristike të saj, si domatet dhe mocarela.

Arkeologët nga Parku Arkeologjik i Pompeit supozojnë se në pikturë, pranë gotës së verës, një bukë e sheshtë me erëza dhe një lloj salce “pesto”, mund të jetë fare mirë një paraardhëse e ushqimit që ka hyrë në listën e mbrojtur nga UNESCO.

Afresku u gjet në atriumin e një shtëpie me furrë buke, ku kërkimet rifilluan janarin e kaluar pas gërmimeve të pjesshme në fund të shekullit të 19-të. Pompei ishte shtëpia e rreth 13,000 njerëzve kur u varros nën hi, gurë dhe pluhur si pasojë e shpërthimit të vullkanit në vitin 79 pas Krishtit i cili krahasohet si i përngjashëm me shumë bomba atomike.