Rreth 0.27% e popullsisë së botës feston ditëlindjen sot, më 29 shkurt. Edhe pse kjo mund të duket si një numër i vogël, nëse marrim parasysh popullsinë globale prej rreth tetë miliardë njerëzve, do të thotë se ka ende një numër të madh njerëzish që kanë këtë datë të rrallë të lindjes rreth 21.5 milionë prej tyre.
Shumë njerëz të lindur në këtë ditë zgjedhin të festojnë ditëlindjen e tyre më 28 shkurt ose 1 mars në vitet jo të brishtë. Vitet e brishta ndihmojnë që kalendari 12-mujor të përkojë me lëvizjen e planetit tonë rreth Diellit. Pas 4 vitesh, orët e mbetura plotësojnë një ditë të plotë.
Në vitin e brishtë, ne e shtojmë këtë ditë në muajin shkurt duke e bërë me 29 ditë nga 28. Ideja nisi në Romën e lashtë ku njerëzit përdornin një kalendar me 355 ditë nga 365 sepse e bazonin në ciklet dhe fazat e Hënës. Ata vunë re se kalendari nuk po përputhej me stinët kështu që çdo dy vjet shtuan një muaj që e quajtën Mercedonius për të plotësuar ditët.
Në vitin 45 para Krishtit, perandori romak Jul Cezari prezantoi kalendarin diellor që ishte bazuar në një model egjiptian. Çdo 4 vjet, shkurtit i shtohej një ditë që të përputhej me rrotullimin e Tokës rreth Diellit. Në nder të Cezarit, sistemi njihet ende si kalendari julian. Por me kohën njerëzit kuptuan se rrotullimi i Tokës nuk zgjaste 365.25 ditë por 365.24219 ditë ose 11 minuta më pak. Kështu që duke shtuar një ditë të plotë çdo 4 vjet ishte një korrigjim i tepërt.