Aktualitet Rajoni

Zgjedhjet në Greqi, fiton partia e kryeministrit Mitsotakis/Por, nuk arrin të qeverisë e vetme!

Në Greqi, partia në pushtet “Demokracia e Re” e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis shënoi fitore bindëse në zgjedhjet e djeshme, por pa arritur të sigurojë shumicën e mjaftueshme të vendeve në Parlament për të formuar qeverinë.

Në mbrëmje, Mitsotakis la të kuptohet se ai do të kërkojë të shkojë në një raund tjetër zgjedhjesh, në përpjekje për ta përforcuar këtë fitore dhe për të qeverisur pa patur nevojë për koalicion.

Pas numërimit të 90% të kutive të votimit, partia konservatore “Demokracia e Re” kryesonte me 20% më shumë vota se rivalja kryesore, partia e majtë Syriza. Sipas sistemit zgjedhor të përfaqësimit proporcional, 40% e votave të hedhura për “Demokracinë e Re” nuk mjaftojnë për të siguruar shumicën në Parlamentin me 300 vende.

Kjo do të thotë se Mitsotakis duhet të kërkojë një partner koalicioni nga një parti e vogël ose ndryshe të shkojë në një raund tjetër zgjedhor.

Pa dyshim që tërmeti politik që u shënua kërkon nga ne të përshpejtojmë procesin për zgjidhjen përfundimtare lidhur me krijimin e qeverisë, që vendi ynë të ketë sa më parë të jetë e mundur një njeri me përvojë në krye të tij.

Votimi i ri ka të ngjarë të bëhet nga fundi i qershorit ose në fillim të korrikut sipas një ligji të ri zgjedhor, i cili i jep partisë fituese vende shtesë bonus në Parlament, duke e bërë më të lehtë qeverisjen e vetme. Pas numërimit të afro 2/3-ve të votave, partia e majtë e ish-kryeministrit Alexis Tsipas siguroi 20%, ndërsa “Demokracia e Re” e kryeministrit Mitsotakis 40% të votave.

Ministria e Brendshme e Greqisë parashikoi se “Demokracia e Re” mund të marrë 145 vende në Parlamentin me 300 anëtarë, gjashtë më pak se shumica e kërkuar për të formuar e vetme qeverinë.

Por, rezultati tregon një mbështetje të madhe për kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, administrata e të cilit u përball me një skandal përgjimi, krizën e kostos së jetesës dhe një aksident hekurudhor vdekjeprurës në muajin shkurt që shkaktoi zemërim të gjerë në vendin fqinj.