Film & Tv

“Zone Of Interest” është, në fakt, filmi më i mirë i 2023. Kritikë.

A e mendoni ndonjëherë çfarë ndikimi duhet të ketë një film mbi ty? Të tregojë një histori? Të emocionojë, sfidojë, argëtojë, mbase harxhojë kohë?   Një film mund të jetë një thirrje artistike e atij që e bën, një nevojë për të rrëfyer një histori, mbrojtur një çështje, apo thjesht për të bërë para. A e keni menduar ndonjëherë që një film mund të të bllokojë, shokojë, mpijë pa treguar asgjë groteske, pa asnjë skenë dhune, pa asnjë pikë gjaku? Si është e mundur që një film ku nuk shihet asnjë portret (mbase vetëm një), ku kamera është gjithmonë e mbajtur në një pozicion të tërhequr aq shumë nga subjekti, të të bëjë të mendosh aq shumë gjatë kohës që je duke e parë e mbas…

“Zone Of Interest” ishte një ndër pak filmat e Oscar-ve [2024] që nuk erdhi në kinematë shqiptare – një humbje e madhe për publikun e sallave për shkak se ky film duhet[j] të shihet[j] në kinema, për figurën por mbi të gjitha për efektet zanore – si dy pista paralele që të fusin në një gjëndje kllapie. Nëse në shtëpinë tuaj keni një home cinema më mirë. Sidoqoftë, në secilin rast duhet ta shihni këtë film.

Tema e luftës së dytë botërore përgjatë dekadave ka shërbyer si një nga më kryesoret e shumë filmave që kanë hyrë në histori, mbase po aq sa horroret e ndodhura në ato vite të vështira për njerëzimin. Janë aq të ndryshme dhe të shumta këndet e artistëve të kinemasë qasur kësaj teme sa ndonjëherë të duket sikur janë shterruar të gjitha. Por, nëse shikon veprën e fundit të Jonathan Glazer, kupton që jo, paska ende histori për të treguar për ato vite tragjike.

I vendosur në Auschwitz-in e  Holocaustit ky art-film nuk mbron një kauzë, nuk ekspozon diçka të gabuar o të paktën jo në formën që jemi mësuar – Regjisori dhe skenaristi Glazer xhiron një boshllëk në një formë krejt origjinale dhe ekstremisht domethënëse. Bazuar [disi] në romanin e Martin Amis me të njëjtin titull (2014) “Zone Of Interest” mes kërkimeve të thella të autorit, një nga tre personazhet kryesorë në libër është S.S.-i Rudolf Höss, komandanti i cili drejtoi kampin famëkeq te Auschwitz-it për vite të tëra. Puna e tij ishte mbarëvajtja e vendit ku, sipas Muzeut Shtetëror Auschwitz-Birkenau, u vranë 1.1 milionë burra, gra dhe fëmijë shumica e tyre hebrenj [djegur në dhomat e gazit].

Glazer e zhvesh librin nga shumë linja të tij, duke mbajtur vetëm njërën – atë të Höss dhe familjes së tij. Shtëpia ku jeton me bashkëshorten (interpretuar nga Christian Friedel dhe Sandra Hüller), 5 fëmijët e tyre dhe stafin ndihmues (me gjasë të burgosur të luftës, duke pritur rradhën për të shkuar në kamp), është në dukje e qetë, ambigue, e thjeshtë, e qashtër, rrethuar nga një mur me një gardh me tela me gjëmba pas së cilit vetëm mund të imagjinojmë çfarë ndodh. Nuk e shohim kurrë – ama e dëgjojmë. Gjatë gjithë kohës dëgjojmë ulërima të mbytura si kolonë zanore të një normaliteti mondan, shurdhues.

Jetesa e tyre në zonën e interesit (siç quhej në atë kohë) u ndërpre me varjen jo larg vendit ku jetoi, në 1947 të Höss, i cili kur u arrestua një vit më parë tha se:

Familja ime jetoi mirë në Auschwitz, fëmijët vraponin në kopshtin e bollshëm, laheshin në pishinë, gruaja ime kishte parajsën e saj të trëndafilave…

…trëndafila me ngjyra të forta nga hiri i dhomave të gazit pak metra larg shtëpisë…

Filmi i Glazer fillon me një ekran të zi shoqëruar nga një muzikë goditëse për minuta të tëra, ndjekur nga një skenë e bukur e personazheve që lahen në liqen. Pjesa tjetër e ngjarjet zhvillohet në rezidencën në fjalë, ku kuadri është gjithmonë jo njerëzor, a thua janë duke u xhiruar nga kamera sigurie, i tërhequr sa për të parë të gjitha kulmet, si për të mos dashur të humanizojë njerëzit që jetonin aty, ashtu, në paqe, sikur të mos kishte asgjë të çuditshme që matanë murit të kopshtit të tyre qindra trupa njerëzish digjeshin çdo orë.

Duke gërshetuar konvencione të art-filmit, sekuenca të gjata si edhe muzikën e jashtëzakonshme të Mica Levi, e cila e gërshetuar me thërritjet e dëshpëruara të viktimave te Holokaustit, ngjan sikur je dëshmitar në vendngjarjen më kriminale në botë, me motorrin e ndezur të vdekjes, filmi i diregjuar nga Glazer mund të quhet lirisht triumf.

Kotësitë e jetës së protagonistëve xhiruar prej tij bien ndesh aq fort me dramën nga ana tjetër, sa filmi duket sikur të mbyt me ankth. Banaliteti i të keqes siç u quajt nga Hannah Arendt – në gjyqin kundër një prej organizatorëve të Holokaustit – Adolf Eichmann, në këtë film tregohet si në pak të tillë. Personazhet janë të ndërgjegjshëm për çfarë po ndodh, këtë kuptojmë nga skena naive si ajo e një peliçeje, qartazi e një prej viktimave tashmë lakuriqe duke pritur vekjen ngjitur trup më trup me mijëra gra të tjera, që provohet fshehurazi nga zonja e shtëpisë.

Me bravurën stilistike, pa ndihmën e muzikës melankolike apo figurave heroike si Oskar Schindler që ndihmoi të shpëtonte qindra jetë njerëzish (“Schindler’s List”, Steven Spielberg, 1993) në ato vite lufte, Jonathan Glazer lë mënjanë frikën e filmbërësve për t’u përballur me barbarizmin e Holokaustit, me kotësinë e tij mpirëse, të keqen e bërë nga njerëzit për njerëzit, pa dëshirën absurde, hollivudeske të fundeve të lumtura.

“The Zone Of Interest” është filmi më i mirë i 2023, edhe pse Oscar-ët menduan ndryshe kur zgjodhën “Oppenheimer” për të vetmin fakt së bën atë që shumë pak filma arrijnë ta bëjnë, pa heronj apo glorifikim anti-heronjsh, pa më të voglin pompozitet, pa dashur të justifikojë apo t’i vërë një emër apo një fytyrë asaj që ndodhi, sepse ajo që ndodhi nuk ka si të ketë [vetëm] një fytyrë, një hero, apo një antihero. Triumfi i të keqes ndodh kur njerëzit e mirë nuk bëjnë asgjë, shkruante Edmund Burke. Por mbase triumfi i të keqes ndodh kur ajo nuk na bën më përshtypje, qofshim ne të mirë apo jo…