Bota

Zyrtare/Konfirmohet vdekja e presidentit iranian, Ebrahim Raisi në aksidentin ajror!

Presidenti iranian, Ebrahim Raisi dhe shoqëruesit e tij, përfshirë ministrin e Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian, janë gjetur të pajetë në vendin ku u rrëzua helikopteri i tyre në veriperëndim të Iranit. Tashmë, informacioni konfirmohet edhe zyrtarisht.

Televizioni shtetëror  raportoi se mjeti fluturues u rrëzua si pasojë e motit të keq. Kabineti i Raisit është duke mbajtur një takim urgjent, referuar mediave shtetërore.

Ligji iranian thekson se nëse vdes presidenti, atëherë pushteti i kalohet zëvendëspresidentit të parë. Një këshill i përbërë nga kryetari i Parlamentit, kreu i Gjyqësorit dhe nga zëvendëspresidenti i parë duhet të organizojë emërimin e presidentit të ri brenda 50 ditëve. Mohammad Mokhber është zëvendëspresidenti i parë aktual i Republikës Islamike.

Të ndihmuara nga Turqia e Rusia, ekipet iraniane të shpëtimit bënë përpjekje të mëdha për ta gjetur helikopterin e rrëzuar si pasojë e situatës së keqe atmosferike në zonën e bjeshkëve të vendit, një ditë më parë.

Helikopteri i 63-vjeçarit Raisi po kthehej nga Tabrizi kur u rrëzua në afërsi të qytetit Jolfa. Televizioni shtetëror e përshkroi si “ulje të keqe”, por disa media raportuan se bazuar në burime qeveritare, mjeti fluturues ra teksa po kalonte në një pjesë malore.

Qeveria e Iranit konfirmoi se u rrëzua njëri nga tre helikopterët që po fluturonin së bashku dhe se dy të tjerët u ulën pa probleme në Tabriz. Raisi e kryediplomati Amir-Abdollahian, dje udhëtuan për në Azerbajxhan për të përuruar një digë me presidentin azer, Ilham Aliyev.

Aliyev shkroi në rrjetin social X se në vendin e tij janë “shqetësuar pafundësisht” nga lajmi për rrëzimin e helikopterit të homologut Ebrahim Raisi.

Kujtojmë se Raisi u zgjodh në krye të shtetit në vitin 2021 e që prej asaj kohe kishte ashpërsuar ndjeshëm kufizimet ndaj iranianëve përmes zbatimit të detyrueshëm të ligjeve të moralit e një lufte të përgjakshme kundër protestave antiqeveritare, të nxitura nga vdekja e të resë Mahsa Amini në paraburgimin policor ku mbahej në lidhje me pretendimet se shkeli ligjin duke mosvendosur si duhej shaminë e kokës.

Në bisedimet bërthamore me fuqitë botërore, Raisi pati bërë përpjekje të mëdha duke e lejuar vendin e tij që të zgjeronte dukshëm programin për pasurimin e uraniumit.