Rajoni

Zyrtari i dialogut Lajçak në Prishtinë, sot takime me opozitën!

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian (BE) për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, sot do të takohet me liderët e opozitës, si pjesë e vizitës së tij dyditore në Kosovë për të biseduar mbi draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e çështje të tjera.

Dje, Lajçak u takua me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi. Në një postim në rrjetin social X, tha se u pajtua për hapat e ardhshëm e për zbatimin e plotë dhe pa vonesa e kushte të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Pas takimit, Bislimi tha se Kosova është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë e për njohje reciproke.

Ende nuk është konfirmuar nëse emisari i BE-së do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në ditën e dytë e të fundit të vizitës së tij.

Lajçaku erdhi në Prishtinë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, kur Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç u takuan secili me liderët e Gjermanisë, Francës e Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të Unionit.

Para atyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë me në krye Lajçakun vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor, ku Kosovës dhe Serbisë iu prezantuan një draft-statut për Asociacionin, për të cilin thonë se është model modern europian, por përmbajtja e tij nuk bëhet e ditur deri më sot.

Kurti ka thënë se është i gatshëm të pranojë e të nënshkruajë draft-statutin për themelimin e Asociacionit, ndërsa presidenti serb Vuçiç e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de fakto të Kosovës.

Kosovës dhe Serbisë i është bërë e qartë se zbatimi i marrëveshjeve është rruga e vetme drejt integrimit në BE, për të dyja vendet. Dy vendet arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013-ën e më pas më 2015-ën mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015-ën, Gjykata Kushtetuese e Kosovës arriti në përfundimin se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, ndaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.

Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të krijohet në formën për të cilën u arrit dakordësi në Bruksel, jo siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011. Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.