Sport

13 vitë në elitë, Skënderbeu bie në Kategorinë e Parë, Dinamon e mban matematika!

Pas 13-vitesh në elitë dhe mes sukseseve të njëpasnjëshme, Skënderbeu rikthehet në Kategorinë e Parë pas barazimit 1-1 me Dinamon. Korçarët në fakt ishin duke marrë një fitore deri në minutën e 90-të falë golit të Berishës, por një penallti e akorduar në fund nga arbitri Enea Jorgji pas edhe ndërhyrjes së VAR-it dhe e shndërruar në gol nga Sabien Lilaj bëri që në fund bardhekuqtë të dilnin kokëulur nga stadiumi i Kamzës.

Nga ana tjetër, edhe blutë e kryeqytetit janë “buzë greminës” dhe aktualisht i mban në lojë vetëm matematika duke qenë se kur kanë mbetur edhe nëntë pikë në lojë, gjenden po minus nëntë pika nga Egnatia e vendit të tetë. Sa i takon kronikës së ndeshjes me Skënderbeun, në fraksionin e parë, Dinamo ishte më kërkuese dhe pati mundësitë e saj me anë të Ibraimit dhe Reginaldos.

Ndërsa nuk mungoi edhe Imami me kokë, por portieri Rexhepi tregoi një formë të shkëlqyer. Sa i takon fraksionit të dytë, rastin e parë e patën korçarët në minutën e 70 me anë të Berishës i cili nuk kishte fatin në anën e tij dhe u ndal nga traversa. Gjithsesi, në të 83-tën, Berisha gjeti rrugën e rrjetës duke mposhtur nga fare pranë portierin Simoni i cili nuk kishte shumë për të bërë.

Ndërkaq, Dinamo provoi të reagonte me Reginaldon por sulmuesi gaboi shënjestër dhe në fund. Megjithatë, penalltia në fund ndryshoi gjithçka me Dinamon që ende është pjesë e Superiores (ka edhe një ndeshje direkte me Egnatian të cilën duhet ta fitojë me dy apo më shumë gola diferencë) ndërsa Skënderbeu sezonin e ardhshëm do të rikthehet në inferiore.

Nga ana tjetër, Teuta mposhti lehtësisht 3-1 Egnatian, duke konfirmuar formën e mirë të ndeshjeve të fundit. Pesë janë ndeshjet radhazi pozitive për djemtë e Renato Arapit (3 fitore dhe 2 barazime).

Suksesi i sotëm ishte i treti për këtë edicion ndaj ekipit të Zekirija Ramadanit dhe e çon në 9 pikë diferencën e Teutës me Egnatian e vendit të tetë, duke u shkëputur përfundimisht nga zona “play-out”.