Aktualitet

Rekord vizitorësh në Muzeun e Krujës, dominojnë të huajt!

Interesi i vizitorëve për historinë e Muzeut “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë është i madh. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja publikoi shifrat e vizitueshmërisë së muzeut të Krujës.

Vetëm për periudhën janar-prill 2024 janë mirëpritur 32 mijë e 178 vizitorë, shifër e cila është 134.14 % më e lartë se ajo e një viti më parë.

Të huajt vijojnë të tregojnë interes për t’u njohur me historinë e popullit shqiptar dhe në veçanti me atë të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Nga janari deri në dhjetor të vitit të kaluar, Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u vizitua nga 110 mijë e 162 vizitorë, ku 50% ishin të huaj, 30% vendas e 20% nxënës dhe studentë.

Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Në muze gjenden pavijoni i Antikitetit dhe Mesjetës së Hershme, ai i Principatave Shqiptare, i Pushtimit Osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës e së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës.

Policia e Shtetit do të shtojë numrin e punonjësve të saj në pikat kufitare për të menaxhuar me efikasitet rritjen e fluksit të turistëve që zgjedhin Shqipërinë për të pushuar. Drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Saimir Boshnjaku, tha se për të përballuar fluksin në rritje të turistëve në vendin tonë, do të shtohet numri i personelit dhe pajisjeve ndihmëse.

Fluksi në Rinas ka patur rritje të madhe. Po përpiqemi të rritim numrin e pajisjeve dhe personelit dhe mbajtjen në eficiencë të pajisjeve me qëllim që ta përballojnë me sukses numrin e lartë të vizitorëve. Kemi parashikuar rritjen me 100 punonjës të policisë kufitare në pikën kufitare Rinas.

Lidhur me luftën ndaj krimit ndërkufitar, Boshnjaku solli në vëmendjen bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

Nga qeveria britanike kemi mbështetje logjistike me dronë. Nga Gjermania kemi marrë pajisje për kontrolle të vijës së dytë. Kemi bërë trajnime për zbulimin e dokumenteve të falsifikuara apo ato me ngjashmëri. Përveç pikave kufitare, në fokus është dhe lundrimi detar, ku kontrollet do të jenë të shtuara.

Një nga instrumentet më të suksesshëm vitin e shkuar ishte dhe njësia policore detare, e cila dha një kontribut të mbarëvajtjes së sezonit turistik. Kemi forcuar bashkëpunimin me pushtetin vendor, Agjencinë e Bregdetit dhe Ministrinë e Turizmit, për t’iu përgjigjur kërkesave të pushuesve. Vëmendja jonë do të jetë e shtuar në vijën bregdetare, sidomos në respektimin e rregullave të lundrimit apo mjeteve turistike.