Aktualitet

Alda Klosi mbetet në burg, Apeli nuk i ndryshon masën e sigurisë!

Nuk ndryshon masa e sigurisë për Alda Klosin, zyrtaren e cila ka mbajtur poste të rëndësishme në dikasteret e drejtuara nga Arben Ahmetaj. Për shkak të fëmijëve të mitur e nënës së verbër, 41-vjeçarja kërkoi masë më të lehtë, por kjo nuk e bindi Gjykatën e Apelit, që vendosi ta lërë në burg duke rikonfirmuar vendimin e Shkallës së Parë.

Ndaj Alda Klosit rëndojnë tre akuza: pastrim i parave, fshehje e pasurisë dhe deklarim i rremë në prokurori, por avokati i saj mbrojtës, Ilirjan Muho i hedh poshtë me argumentin se  “nuk gjenerojnë para’ dhe se personi duhet të merret me një tjetër vepër penale që të gjenerojë paratë e që më pas t’i fshehë ato”.

Nga dera e Gjykatës së Apelit, avokati Muho mbrojti versionin publik të dhënë nga vetë Klosi lidhur me 120 mijë eurot që iu vodhën në banesë nga pastruesja, se i kishte marr hua nga vëllai për trajtimin shëndetësor të xhaxhait të saj.

Klosi e ka deklaruar pasurinë që ka pasur në pronësi të saj deri kur ka qenë subjekt i deklarimit. Në momentin që nuk është më, nuk ka asnjë detyrim që të deklarojë huatë që i jep vëllai i saj, për aq kohë sa as ai nuk është subjekt i deklarimit.

Lidhur me pronësinë e një apartamenti, avokati tha se banesa është në emër të ish-bashkëshortit, i cili e ka blerë dy vite pasi ishte divorcuar nga Alda Klosi.

Para disa ditësh, Prokuroria bëri sekuestron e një apartamenti të regjistruar në emër të ish-bashkëshortit dhe që e ka marrë më 2021-shin, dy vite pasi ishin divorcuar. Ajo çfarë thotë prokuroria ka nevojë të verifikohet e të provohet. Kjo do të thotë që Klosi nuk ka nevojë të rrijë në burg deri në provimin e akuzave. Fillimisht gjenden provat e pastaj arrestohet.

Në dëshminë e saj, Klosi i ka qëndruar pretendimeve të mëparshme se pastruesja Rozerta Dobi i ka vjedhur nga shtëpia 120 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër e parave që pastrueses iu gjetën në tubin e aspirimit të banesës, 400 mijë euro, thotë se nuk janë të saj.