Aktualitet

Alda Klosit i sekuestrohen një apartament e një garazh/Vijon verifikimi për pasuritë e tjera!

Në burg për “pastrim parash” e “fshehje pasurie”, Alda Klosit i sekuestrohen një apartament e një garazh në rrugën “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë. Po ashtu, në verifikim janë edhe pasuritë e tjera të ish-zyrtares, e cila ka qenë drejtoreshë e koncesioneve në Ministrinë e Financave kur drejtohej nga Arben Ahmetaj, si edhe drejtoreshë e kabinetit kur Ahmetaj mbante postin e zv.kryeministrit.  Emri i saj u bë i njohur në ditët e para të janarit për vjedhjen e qindra mijëra eurove nga banesa në Rrugën e Kosovarëve në kryeqytet, grabitje për të cilën u arrestua pastruesja e saj Rozeta Dobi dhe i biri, Havier.

Por, më pas Rozeta dha një tjetër dëshmi në Policinë e Tiranës e deklaroi se “grabitja e parave ishte inskenim i Aldës për të fajësuar ish-bashkëshortin që e kërcënonte”. Madje, shtoi se edhe shuma prej mbi 400 mijë eurosh që ishte fshehur në shtëpinë e familjes Dobi, i përkiste 41-vjeçares, e cila pas arrestimit u shtrua në spital për probleme shëndetësore me tensionin e lartë.  Dyshohet se apartamentin dhe garazhin që iu sekuestruan, Alda Klosi e ka përfituar nga korrupsioni.

Njoftimi zyrtar:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Asetet Kriminale në DVP Tiranë, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, sekuestruan pasuri të palujatshme në pronësi të shtetasit A. K., konkretisht një apartament dhe një garazh në rrugën “Kongresi i Lushnjës”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Alda Klosi u vu nën hetim për tre akuza, mes të cilave “Pastrimi i produkteve të veprës penale”. Që nga momenti i arrestimit më 3 shkurt e deri më tani, nuk ka pranuar të flasë për çështjen. Më 7 shkurt, Gjykata e Tiranës i caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg”.