Aktualitet

Ngjarja e rëndë në Shkodër/ Avokati: Mungesë profesionalizmi nga ana e policisë!

Avokati Arbër Hoxha në një lidhje skype për emisionin “Shqipëria Live” me gazetarët Erjona Rusi dhe Arjon Muça në Top Channel ku ka folur në lidhje me rastin tragjik të ndodhur së fundmi në Shkodër ku një nënë dyshohet se është vetëmbytur bashkë me tre fëmijët e saj pas dhunës së bashkëshortit. Deri më tani është gjetur vetëm trupi i pajetë i vajzës 9 vjeçare.

Hoxha u shpreh se Ergys Arrazi, bashkëshorti i 39 vjeçares, është ndaluar nën akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes dhe jo për vrasje. Ai tha se për këtë vepër penale për të cilën akuzohet, duhet të ketë disa prova që përcaktohen në dispozitën e kodit penal.

“Asnjëri prej nesh nuk ka tagrin e juridiksionit të akuzës. Më duket një ekzagjerim dhe nxitim tepër i madh i organeve ligjzbatuese për të bërë një ndalim. Duhet të bëjmë një sqarim, ndalimi është bërë jo për vrasje por për shkaktim të vetëvrasjes. Nëse do lexojmë dispozitën e kodit penal të shkaktimit të vetëvrasjes, duhet të jetë një dhunë sistematike dhe ndërprerje e mjeteve të jetesës që të shkaktojë vetëvrasje”- tha Hoxha.

Duke e cilësuar arrestimin e Ergys Arrazit si “mungesë profesionalizmi” nga ana e policisë, avokati u shpreh se duhej që më së pari të siguroheshin provat e nevosjme për të shkuar më pas tek arrestimi.

“Duhet të ketë një lidhje shkaksore mes veprimeve të kundraligjshme dhe pasojës konkrete që ka. Në rastin konkret më duket një nxitim nga ana e policisë gjyqësore dhe një mungesë profesionalizmi siç ka ndodhur rëndomtë në 30 vitet e fundit. As me Kosovën nuk e krahasojmë dot veten, direkt shkojmë tek arrestimi. Duhet të kesh prova të mjaftueshme për të pasur arrest me burg. Ndërsa në Shqipëri të mbajnë në arrest me burg, më pas gjejnë provat”- shtoi avokati.