Pasó – Euro 2020 Sport

Arben Manaj: “Më shumë dëshirë kisha të futesha në Facebook të bëja komente, sesa të shihja ndeshjen!”

E marta sportive vjen edhe ditën e sotme me “Pasó – Euro 2020”, emisionin dedikuar Kampionatit Europian. Në maratonën njëorëshë, nën moderimin e Denisit dhe Albanës, ditën e sotme kishte plot të ftuar në lidhje telefonike. Njëri nga ta, ishte Arben Manaj, një tifoz i Anglisë.

Ky episod solli atmosferën pas fitores së Anglisë kundrejt Gjermanisë. Sigurisht, kësaj nuk mund të mos i bashkohej Arben Manaj, por që duhet ta pranojmë se ai nuk ishte totalisht i lumtur dhe krenar me fitoren e skuadrës së tij të zemrës. Gjithashtu, ai shprehu pakënaqësinë e tij për lojën e Anglisë.

Nuk jam fare i gëzuar. Nuk më pëlqeu aspak loja e Anglisë. Unë mendoja se Anglia do ta mbyste Gjermaninë, por nuk luajti mirë.

Edhe pse tifoz i Anglisë, Manaj dukej aq i pakënaqur, saqë e pranoi se nuk e kishte ndjekur me vëmendje të plotë ndeshjen, për arsye të nivelit të lojës.

Më shumë kisha dëshirë të futesha në Facebook të bëja komente, se të shihja ndeshjen.

Deklaratë e fortë kjo për një sportdashës, e aq më tepër kur luan skuadra e tij e zemrës. Por megjithatë, në fund rezultati është ai që ka rëndësi, e që të jep mundësinë të luash edhe në ndeshje të tjera, me shpresën se ndoshta niveli i lojtarëve do të jetë më i mirë.

Sido që të jetë, Anglia ka fituar me Gjermaninë…

Në fund të intervistës, tifozi i Anglisë, Arben Manaj, kishte një mesazh për Albanën e “Pasó – Euro 2020”, një tifoze e skuadrës së Gjermanisë.

Wir lieben dich! Dieses Mal war das Glück mit uns! Wir respektieren dich!

Ne të duam ty! Këtë radhë fati ishte me ne! Ne të respektojmë ty!