Bota

Associated Press: Çfarë rëndësie ka njohja e shtetit palestinez nga Spanja, Irlanda e Norvegjia?

Associated Press

Spanja, Irlanda dhe Norvegjia thanë sot se më 28 maj do të njohin shtetin palestinez, një hap drejt një aspirate të gjatë palestineze që erdhi mes zemërimit ndërkombëtar për numrin e viktimave civile dhe krizën humanitare në Rripin e Gazës pas ofensivës së Izraelit.

Vendimet e trefishta e pothuajse të njëkohshme mund t’i japin vrull njohjes së një shteti palestinez nga vendet e tjera të BE-së e mund të nxisin hapa të mëtejshëm në Kombet e Bashkuara, duke thelluar izolimin e Izraelit. Shembullin mund ta ndjekin Malta e Sllovenia, që gjithashtu janë në mesin e 27 vendeve të Unionit. Rreth 140 nga 190 shtete anëtare të OKB-së, tashmë e kanë njohur një shtet palestinez.

Përse ka rëndësi?

Vendimi i OKB-së i vitit 1948 që krijoi Izraelin, parashikonte një shtet fqinj palestinez, por rreth 70 vjet më vonë kontrolli i territoreve palestineze mbetet i ndarë dhe ofertat për anëtarësim në OKB janë mohuar.

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe e të tjera vende perëndimore kanë mbështetur idenë e një shteti të pavarur palestinez që ekziston përkrah Izraelit, si një zgjidhje për konfliktin më të vështirë të Lindjes së Mesme. Por, këmbëngulin se shtetësia palestineze duhet të vijë si pjesë e një zgjidhjeje të negociuar. Negociata thelbësore nuk ka pasur që nga viti 2009.

Megjithëse vendet e BE-së dhe Norvegjia nuk do ta njohin një shtet ekzistues, vetëm mundësinë për një të tillë, simbolika ndihmon në ngritjen e pozitës në nivel ndërkombëtar të palestinezëve dhe shton presionin mbi Izraelin për të hapur negociatat mbi përfundimin e luftës.

Gjithashtu, ky hap i jep rëndësi shtesë çështjes së Lindjes së Mesme përpara zgjedhjeve të qershorit për Parlamentin Europian, kur rreth 370 milion njerëz kanë të drejtë të votojnë teksa një rritje e madhe e së djathtës ekstreme është në skenë.

Pse tani?

Presioni diplomatik ndaj Izraelit është rritur teksa beteja me Hamasin ka hyrë në muajin e 8-të. Më 11 maj, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me një diferencë të konsiderueshme për t’i dhënë “të drejta dhe privilegje” të reja Palestinës, në shenjë të mbështetjes në rritje ndërkombëtare për një votim për anëtarësimin.

Në mars, udhëheqësit e Spanjës, Irlandës, Maltës e Sllovenisë thanë se po e shqyrtonin njohjen e një shteti palestinez si “një kontribut pozitiv” drejt përfundimit të luftës. Kohët e fundit, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez deklaronte:

Unë e bëj këtë për bindje morale, për një kauzë të drejtë dhe sepse kjo është mënyra e vetme që të dyja shtetet, Izraeli dhe Palestina, të jetojnë së bashku në paqe.

Çfarë implikimesh mund të sjellë njohja?

Edhe pse dhjetëra vende e kanë njohur Palestinën, asnjë nga fuqitë kryesore perëndimore nuk e ka bërë këtë dhe është i paqartë ndryshimi që mund të sjellë lëvizja e Spanjës, Irlandës e Norvegjisë. Por, njohja e tyre do të shënonte një arritje të rëndësishme për palestinezët, të cilët besojnë se kjo i jep legjitimitet ndërkombëtar luftës së tyre.

Ka pak gjasa të ndryshojnë gjërat në terren në një afat të shkurtër. Bisedimet për paqe kanë ngecur dhe qeveria e vijës së ashpër e Izraelit, refuzon ta ndryshojë qëndrimin kundër shtetësisë palestineze.

Cila është përgjigjja e Izraelit?

Izraeli reagoi menjëherë duke tërhequr ambasadorët nga Irlanda dhe Norvegjia. Qeveria izraelite kritikoi bisedimet për pavarësinë e Palestinës duke i quajtur “shpërblim” për sulmin e Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor e që vrau 1 mijë e 200 njerëz dhe çoi në rrëmbimin e mbi 250 të tjerëve. Shteti hebraik kundërshton çdo lëvizje për të legjitimuar palestinezët ndërkombëtarisht.

Hapa si ato të tre vendeve europiane, forcojnë pozicionin palestinez dhe dëmtojnë procesin e negociatave. Të gjitha çështjet duhet të zgjidhen përmes negociatave.

Shpesh, Izraeli iu përgjigjet vendimeve të vendeve të huaja që vlerësohet se shkojnë kundër interesave të tij, duke thirrur ambasadorët e tyre e gjithashtu duke ndëshkuar palestinezët përmes masave të tilla si ngrirja e transfertave të taksave për Autoritetin Palestinez.

Kush e njeh Palestinën si shtet?

Rreth 140 vende e kanë njohur shtetin palestinez apo më shumë se dy të tretat e atyre anëtare të Kombeve të Bashkuara.  Disa fuqi të mëdha kanë treguar se qëndrimi i tyre mund të jetë duke evoluar mes protestave për pasojat e ofensivës së Izraelit në Gaza, që ka vrarë mbi 35 mijë palestinezë sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës. Ky dikaster nuk bën dallim mes luftëtarëve dhe civilëve.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, tha se njohja e Palestinës nuk mund të vijë nëse Hamasi mbetet në Gaza, por kjo mund të ndodhë teksa negociatat izraelite me liderët palestinezë janë në zhvillim.

Në muajin shkurt, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se nuk është “tabu” që Franca ta njohë shtetin palestinez.