Bota

Spanja, Irlanda dhe Norvegjia do ta njohin Palestinën si shtet!

Spanja, Irlanda dhe Norvegjia vendosën ta njohin Palestinën si shtet të pavarur. Por, ky vendim historik nxiti kundërshtim të ashpër nga Izraeli, sikurse dhe gëzim nga palestinezët. Shteti hebraik i tërhoqi menjëherë ambasadorët nga Norvegjia e Irlanda.

Norvegjia nuk është anëtare e Bashkimit Europian, por ndjek politikat e saj dhe ka qenë mbështetëse e zjarrtë e zgjidhjes me dy shtete mes Izraelit e palestinezëve. Kryeministri Jonas Gahr Store tha se “nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme, nëse nuk ka njohje”.

Palestina ka të drejtën thelbësore për të qenë shtet i pavarur. Terrori është kryer nga Hamasi e nga grupet militante, të cilat nuk janë përkrahëse të zgjidhjes me dy shtete, si dhe nga shteti i Izraelit.

Store tregoi se shteti skandinav do ta njohë zyrtarisht atë palestinez nga 28 maji.

Duke e njohur Palestinën si shtet, Norvegjia mbështet planin për paqe arabe.

Në javët e fundit, disa vende të Bashkimit Europian lanë të kuptohet se kanë ndër mend që ta njohin Palestinën, duke argumentuar se zgjidhja me dy shtete është thelbësore për paqe afatgjatë në rajonin e trazuar nga luftimet. Lufta më e fundit Izrael-Hamas zhvillohet prej 7 tetorit 2023 kur militantë të Hamasit goditën dhe hynë në jug të territorit izraelit duke vrarë 1 mijë e 200 persona e rrëmbyer rreth 250 të tjerë. Hamasi është grup radikal palestinez i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Bashkimi Europian.

Vendimi i tre vendeve bëhet i ditur në një kohë kur forcat izraelite po kryejnë sulme në pjesët veriore dhe jugore të Rripit të Gazës, duke shkaktuar zhvendosjen e qindra mijëra njerëzve e kufizuar dukshëm futjen e ndihmave në enklavën palestineze.

Norvegjia po e njeh Palestinën si shtet më shumë se 30 vjet pas marrëveshjes së parë të Oslos, e nënshkruar më 1993-shin. Që prej atëherë, “palestinezët kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt zgjidhjes me dy shtete”, deklaroi qeveria norvegjeze.

Banka Botërore theksoi se Palestina i ka përmbushur kriteret kyçe për të funksionuar si shtet më 2011-ën e se janë ndërtuar institucione kombëtare, për t’i ofruar shërbime të rëndësishme popullit.

Ndërkohë, kryeministri irlandez, Simon Harris u shpreh se “kjo është një ditë historike dhe e rëndësishme për Irlandën e Palestinën”.

Sa i përket Spanjës, kryeministri Pedro Sanchez, tha se vendi i tij do ta njohë Palestinën si shtet më 28 maj. Sanchez, lider socialist i Spanjës prej vitit 2018 e dha lajmin e pritur, sot gjatë një fjalimi në Parlament. Disa muaj, Sanchez i ka kaluar në vendet europiane e të Lindjes së Mesme, për të fituar mbështetje për njohjen e Palestinës, si dhe për një armëpushim të mundshëm në Gaza.