Health & Beauty Lifestyle

Çfarë ndodh me foshnjën në barkun tuaj në muajin e pestë të shtatzënisë?!

Java e tetëmbëdhjetë të shtatzënisë ka arritur, dhe ju po hyni në muajin e 5-të të shtatzënisë dhe ja çfarë mund të prisni gjatë kësaj periudhe. Bebja tani mund të dëgjojë tinguj nga bota e jashtme. Në këtë periudhë përfundon kockëzimi i kockave të vogla të veshit të brendshëm, si dhe pjesës së trurit që merr dhe përpunon sinjalet zanore. Lexoni, flisni ose këndoni këngë të lumtura për të.

Venat mund të shihen përmes lëkurës transparente të bebes dhe veshët tanimë janë formuar. Proteina mbrojtëse, mielina, fillon të formohet rreth nervave për të mundësuar shkëmbimin e shpejtë të informacionit të nevojshëm për koordinimin e lëvizjeve. Ky proces do të vazhdojë edhe pas lindjes, deri në vitin e parë të bebes.

Sistemi i saj imunitar fillon të funksionojë – tani fillojnë të krijohen antitrupa. Bebja juaj është shumë aktive, duke lëvizur krahët dhe këmbët, duke u përdredhur, rrokullisur dhe tundur për t’ju treguar se sa është rritur. Do të vini re lëvizjet e saj gjithnjë e më shumë. Nga koka deri te të pasmet, bebja tani është rreth 14 cm e gjatë (afërsisht sa një dardhë më e madhe), dhe peshon pothuajse 200 gramë.

Çfarë po ndodh me nënën?

Deri tani me siguri keni shtuar rreth 4 kilogramë. Gjatë shtatzënisë, femrat në përgjithësi shtojnë peshë nga 12 deri në 15 kilogramë, veçanërisht në muajt e fundit. Rritja e oreksit është një fenomen shumë i zakonshëm gjatë kësaj periudhe. Mundohuni të hani vakte dhe ushqime të pasura me lëndë ushqyese dhe jo kalori boshe.

Që tani e deri në fund të shtatzënisë, është mirë që të shtriheni në krah. (Kur shtriheni në shpinë, mitra shtyp venën kryesore, gjë që çon në uljen e rrjedhjes së gjakut në zemër). Vendosni një jastëk pas jush ose nën ijët tuaja për t’i bërë ato më të rehatshme.