Rajoni

Dakordësia Kurti-Vuçiç, në fokus të samitit të BE-së në Bruksel!

Dakordësia e 18 marsit e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiç për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve do të jetë pjesë e një samiti të liderëve të BE-së. Ky takim zhvillohet nesër e të premten në Bruksel.

Akordi me 11 nene, i bërë publik më 27 shkurt nuk e detyron Serbinë ta njohë Kosovën, por nga të dy vendet kërkon t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e tyre, përfshirë pasaportat, diplomat e targat. Po ashtu, palët duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani në dialog, përfshirë formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Qeveria në Prishtinë e refuzonte, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Radio Evropa e Lirë publikon draftin e konkluzioneve nga samiti i BE-së e aty gjendet dhe paragrafi ku përshëndetet arritja e marrëveshjes në Ohër.

Këshilli Europian mirëpret marrëveshjen e arritur në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian për aneksin e zbatimit të marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë. U bëjmë ftesë të dyja palëve që në mënyrë të përshtatshme e në mirëbesim, të zbatojnë detyrimet përkatëse!

Për këtë temë, liderëve të shteteve të BE-së do t’iu raportojë edhe kryediplomati i Unionit, Josep Borell. Më herët, zyrtari i lartë raportoi për këtë çështje edhe dje, para ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bllokut.

Albin Kurti është i mendimit se faktorët ndërkombëtarë duhet ta “dënojnë” Serbinë se sipas tij refuzoi të nënshkruajë aneksin për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara thanë se pavarësisht se nuk u firmos nga palët, dy vendet e konsiderojnë si marrëveshje.

Albin Kurti është për zbatimin me urgjencë të akordit të 18 marsit Kosovë-Serbi. I pyetur për kërkesën amerikane që marrëveshja e Ohrit të zbatohet menjëherë, kryeministri tha se “duhej të fillonte”. Sipas tij, tashmë “topi” është në anën e Serbisë. Kurti kërkon që theksi të vihet te refuzimi serb për ta nënshkruar marrëveshjen dhe jo te pyetja që i drejtohet se kur do ta themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe.