Sport

Do ta luajmë ndeshjen e parë me ta, Italia zgjedh kampin stërvitor ngjitur me Shqipërinë për kampionatin evropian!

Pas një viti impresionues ku Kombëtarja jonë e futbollit arriti të kualifikohej në kampionatin europian, Shqipëria rikthehet të zbres në fushë në muajin mars. Shqipëria nuk do të luajë thjesht disa ndeshje miqësore por do të marrë pjesë në turneun miqësor ndërkombëtar të futbollit që do të zhvillohet në Algjeri, në muajin mars. Nga ana tjetër shorti i rezervoi Shqipërisë kundërshtarët më të fortë të mundshëm në kampionatin evropian, ku Kombëtarja jonë do të përballet me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën. Ndeshjen e parë do ta luajmë përballë Italisë në qytetin e Dortmundit.

E pikërisht duket se Italia dhe Shqipëria janë të pandara me sa duket në rrugëtimin në EURO 2024. Vendet fqinje që ndahen gjeografikisht nga deti Adriatik dhe Jon, do të ndahen nga vetëm pak kilometra në Gjermani në përgatitjet e kombëtareve në pjesëmarrjen në turne, ku janë rivale direkte.Shqipëria është vendosur në një nga rrethinat e Dortmundit, në Kaizerau dhe ka finalizuar marrëveshjen me hotelet dhe terrenet stërvitore atje që prej muajit dhjetor. Sot, ka ardhur edhe njoftimi nga Federata Italiane e Futbollit sa i përket qendrës së saj në Gjermani gjatë Europianit, duke u pozicionuar vetëm 30 kilometra larg bazës së kuqezinjve. Edhe të kaltrit janë vendosur në një nga rrethinat e Dortmundit, në Iserlohn, ku do të qëndrojnë gjatë ditëve të pjesëmarrjes së turneut. “Fqinjë” edhe në Gjermani, por kur në një ditë, atë të 15 qershorit, fqinjësia e mirë do të kalojë në plan të dytë për 90 minutat e ndeshjes mes dy skuadrave në Grupin B të Euro 2024.