Aktualitet Politikë

“Dum Dumani, legen…”, Ilir Meta shpërthen edhe më keq ndaj Altin Dumanit pas reagimit amerikan!

Ilir Meta nuk kursehet e shpërthen edhe më keq ndaj Altin Dumanit, drejtuesit të SPAK-ut, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sot në një dalje për mediat, kryetari i Partisë së Lirisë ka thelluar akuzat dhe etiketimet ndaj Dumanit, për të cilin tha se i ka dërguar në zyrë persona duke i kërkuar të largohet nga Shqipëria.

I them Dum Dumanit, ke përmendur tre herë emrin tim, më ke çuar edhe njerëz të më mbushin mendjen të iki nga Shqipëria. Pse legen si puna jote jam unë? Gjëmon vjehrrën time të marrësh peng familjen time e do të marrësh Partinë e Lirisë e t’ia japësh atij torollakut. Nuk nxorëm mend nga lulushët ne?

Me tone të larta, ndër të tjera, Meta e akuzoi Dumanin se “është kthyer në pistoletë” të Edi Ramës”:

Ti hape dosjen CEZ-DIA me urdhër të Edi Ramës, ti shkove në burg e takove Kastriot Ismailajn duke i bërë presion që të dëshmonte kundër meje. Dum Dumani është palaço, është shndërruar në një pistoletë të Edi Ramës.

Teksa e cilësoi Altin Dumanin “prokuror të Engjëll Agaçit” e jo të amerikanëve, Ilir Meta nuk u kursye as ndaj të tijëve kur vijoi me akuzat kundrejt “elementëve jo të besueshëm” brenda partisë që drejton, të cilët sipas tij kanë bashkëpunuar me maxhorancën dhe atë që e quan “SPAK-u politik”.

Më herët gjatë ditës, ambasada amerikane përshëndeti dënimin që Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP i bëri atyre që i quan sulme direkte e të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët e javët e fundit. Në një mesazh, theksohet: “Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë”.

Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesin të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.

Kështu shkroi selia diplomatike e Uashingtonit në vendin tonë, në reagimin e sotëm në krah të SPAK-ut e numrit një të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.