Aktualitet

Sulmet ndaj SPAK-ut, ambasada e SHBA-ve: Jemi krah profesionistëve që synojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë!

Ambasada amerikane përshëndet dënimin që Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP i bëri atyre që i quan sulme direkte e të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët e javët e fundit. Në një mesazh, theksohet: “Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë”.

Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesin të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.

Kështu shkroi selia diplomatike e Uashingtonit në vendin tonë, në reagimin e sotëm në krah të SPAK-ut e numrit një të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.

Ndërkaq, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, hodhi poshtë akuzat e Ilir Metës se është takuar me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal. Dumani theksoi se nuk ka pasur asnjë takim të mëparshëm me McGonigal dhe se emrin e tij e ka dëgjuar vetëm pas publikimit të lajmeve në mediat shqiptare.