Aktualitet Fol

“E kam një pasojë të tillë në familje…”/Rrëfimi personal i gjyqtarit të lartë për vrasjen e vëllait Ilir Ngresi nga Kastriot Jaupaj!

Në episodin e katërt të podcastit “Fol me Anila Hoxhën” në Top Albania Radio fokusi ka qenë tek të dhënat investigative mbi ngërçin e padive të dëmeve ku kryesojnë si me të paditurit IKMT, OSHEE, Policia, dhe Autoriteti Rrugor. Janë përfshirë gjithashtu edhe rrëfime të familjeve që ngritën padi, rrëfimi personal të një gjyqtari të lartë që veç historisë familjare tregon se ligji parashikon që shtetasit shqiptarë mund të ngrenë padi dëmshpërblimi edhe për tejzgjatje gjykimi si dhe ndaj zyrtarëve që dënohen për korrupsion.

Pjesë e shkëputur nga podcasti “Fol me Anila Hoxhën”:

Anila Hoxha: Cila është pjesa më e vështirë për ju si gjyqtarë në atë moment?

Sokol Ngresi: Të përjetosh traumën qoftë si gjyqtarë,  por edhe si qytetar që ka përjetuar ai fëmijë dhe familjarët e tij në situatën që kishte ndodhur, që vazhdonin pasojat e situatës të agravonin vit pas viti për shkak të kësaj specifike që kishte.

Anila Hoxha: Si i ruan gjyqtari balancën në këtë moment, z.Ngresi? Nga njëra anë dëgjon familjarë apo qytetarë që i është shkaktuar një dëm në shëndet, nuk është mjekuar sic duhet. Është mbajtur i burgosur në mënyrë të padrejtë pasi është shpallur i pafajshëm, i është shembur banesa dhe ai kërkon të dëmshpërblehet. Nga ana tjetër është pala e paditur që kundërshton dhe kryen prapësimet e duhura duke thënë që “jo nuk është shkaktuar asnjë dëm. Ne kemi zbatuar ligjin” dhe justifikime të ndryshme.

Sokol Ngresi: Aftësia e gjyqtarit është që të orientojë palët drejt procesit të rregullt drejt përcaktimit të rrethanave dhe objektit të të provuarit në këtë proces.

Anila Hoxha: Kush është ai rast në këtë fushë, që iu ka shënjuar, që iu ka mbetur dhe nuk do t’ju hiqet asnjëherë nga kujtesa?

Sokol Ngresi: Janë shumë, por për momentin, nuk është se mund të veçoj diçka. Jo, unë do sillja një eksperiencë ose një situatë personale që lidhet me këtë tematikë që po diskutojmë. Rastet e krimeve të rënda siç janë vrasjet. Shumë rrallë ndodh që viktimat e veprës penale dhe flas trashëgimtarë, familjarë, të afërm të kenë guximin të kërkojnë dëmshpërblimin nga autorët e veprave penale. Unë jam një nga ata persona që e kam një pasojë të tillë në familje dhe jo se nuk kam pasur guxim të kërkoj dëmshpërblim nga autori i veprës penale që më shkaktoi atë pasojë mua dhe familjarëve të mi. Kanë qenë rrethana të tjera në rastin konkret por që duhet të jetë edhe kjo një pjesë e ndërgjegjësimit të qytetarëve.

Anila Hoxha: Gjyqtari Sokol Ngresi është duke folur për Ilir Ngresin, efektivin e policisë, zyrtarin e policisë, i cili u vra për shkak të uniformës, për shkak të detyrës. Është në tabelën e nderit të dëshmorëve, të policëve dhe të oficerëve të policisë që dhanë jetën për vendin dhe që u vranë nga një dorë e zezë e krimit. Tani, që e rrëfen historinë e  humbjes së vëllait Ilirit, mendon që duhet të kishe bërë mirë dhe të kishe ngritur padi ndaj Kastriot Jaupit? Përvec asaj që tha drejtësia në Shqipëri?

Sokol Ngresi: Kjo ishte një situatë që padyshim që do të kishim bërë mirë unë dhe sidomos fëmijët e vëllait tim të ndjerë,  ti ishim drejtuar gjykatës edhe me një padi të tillë.

Anila Hoxha: E ke ndjekur ndonjëherë procesin e Kastriot Jaupit?

Sokol Ngresi: Ky person është gjykuar në mungesë pasi kreu veprën penale u arratis, u gjykua në mungesë në shkallë të parë. Vendimi mori formë të prerë, u ekstradua pastaj nga autoritetet tona, pasi u kap në Spanjë, pas disa vitesh. Rifilloi procesi në shkallë të dytë, përfundimisht ka përfunduar si proces dhe është dënuar me burgim të përjetshëm. Gjithsesi kjo është pjesë e drejtësisë penale që ka bërë punën e vet. Ndoshta që edhe për shkak të pozicionit që unë kam pasur, gjithë kohës si gjyqtar nuk kam dashur ta ngarkoj këtë pjesë dhe me procese gjyqësore civile. Jemi mjaftuar me atë mirëkuptimin tonë familjar me procesin penal dhe me dënimin e merituar që ai ka marrë.

Anila Hoxha: Kishte mundësi që ju të ngrinit padi? Ishte në atë kohë ligji në fuqi?

Sokol Ngresi: Patjetër. Ngjarja ka ndodhur në 30 dhjetor të vitit 2000, një natë përpara Vitit të Ri dhe legjislacioni ka qenë në fuqi që në vitin 1999. Por edhe pa qenë ky legjislacion, kuadri ligjor ka qenë i mjaftueshëm pasi edhe dispozitat e Kodit Civil që kanë hyrë në fuqi në 1 nëntor 1994, e njohin këtë të drejtë qytetarit. Gjithkush që ka shkaktuar një dëm të padrejtë, të paligjshëm dhe me faj të tretit është i detyruar ta dëmshpërblejë.