Bota Botë e Çuditshme

E lindur me gjysmë zemre, 36-vjeçarja bëhet nënë e binjakëve!

E lindur 36 vite më parë pa një barkushe në zemër, tani është bërë nënë e binjakëve. Ky është një nga 4 rastet e rralla në botë dhe i pari ka ndodhur në Itali. Ngjarja e jashtëzakonshme ndodhi në Romë, falë vendosmërisë së të resë dhe punës së përbashkët të specialistëve të Spitalit Pediatrik Bambino Gesù, të cilët e kanë ndihmuar që në fëmijëri për shkak të sëmundjes së rëndë kongjenitale të zemrës dhe Spitalit Universitar Gemelli, ku u krye operacioni cezarian.

Mediat italiane kanë përcjellë emocionet e nënës.

E dija që rrezikoja shumë me një gjysmë zemër, por doja të bëhesha nënë. Lindja e binjakëve ishte një emocion i papërshkrueshëm.

Lindja e binjakëve, të dy me peshë 1.4 kg, u bë me prerje cezariane në Poliklinikën Gemelli në javën e 34-të të shtatzënisë, pak ditë përpara datës së pritshme të lindjes. Nëna e binjakëve ka lindur me një zemër që i mungon barkushja e djathtë, pjesa e muskujve të zemrës që shtyn gjakun drejt mushkërive për oksigjenim.

Është një sëmundje komplekse kongjenitale e zemrës që kërkon një sërë ndërhyrjesh korrigjuese, brenda viteve të para të jetës. Në këtë rast specifik, pacientja e Bambino Gesù iu nënshtrua një operacioni të vetëm në moshën 4-vjeçare për të ndërtuar një sistem qarkullimi alternativ, të quajtur Fontan, i cili sjell gjak nga vena direkt në mushkëri, pa kaluar nëpër zemër.