Bota

Ebrahim Raisi, kush ishte presidenti iranian?

Sot u konfirmua se presidenti iranian, gjeti vdekjen në një aksident ajror në Iran. Por, kush ishte Ebrahim Raisi? I lindur më 14 dhjetor 1960 në Mashhad, Raisi u rrit në një familje klerike dhe ndoqi arsimin fetar. Siç raportohet, ai mori pjesë aktive në ngjarjet e viteve 1978-79 që çuan Shahun në mërgim dhe sollën vendosjen e një sistemi qeveritar të bazuar në vizionin e Khomeinit. Pas Revolucionit Iranian, ai iu përkushtua mbështetjes së regjimit të sapolindur kundër opozitës së brendshme.

Në vitin 1985, Raisi u emërua zëvendësprokuror në Teheran. Në vitin 1988, gjatë luftës Iran-Irak, Khomeini urdhëroi ekzekutimin e mijëra të burgosurve politikë, të cilët i akuzoi për bashkëpunim me Irakun, si dhe caktoi Raisin në një komitet të ngarkuar me përcaktimin nëse të burgosurit ishin më pak besnik ndaj qeverisë. Për përfshirjen e tij në ekzekutimin masiv të mijëra të burgosurve politikë, Ebrahim Raisi u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas ardhjes në pushtet të Ali Khameneit në vitin 1989, Raisi filloi ngjitjen e tij në sistemin gjyqësor iranian. Pavarësisht pozicionit të nivelit të lartë brenda regjimit, arriti të ndërtonte një imazh si kritik i qeverisë, parimor dhe i ashpër ndaj korrupsionit.

Ai u përplas me Hassan Rouhanin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017, duke e kritikuar për përfundimin e marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore JCPOA (Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit). Pas emërimit të tij në krye të drejtësisë në vitin 2019, menjëherë, Raisi ndoqi çështje korrupsioni ndaj zyrtarëve të qeverisë dhe biznesmenëve të shquar, ndonëse në mënyrë selektive.

Kur kandidoi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2021, vazhdoi të pozicionohej si një mbrojtës kundër korrupsionit qeveritar dhe shprehu mbështetje për negocimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare bërthamore që merr parasysh interesat iraniane.

Si ndryshoi Irani nën regjimin e Raisit

Nën drejtimin e Raisit, Irani pasuroi uraniumin në nivele gati bërthamore dhe po pengon inspektimet ndërkombëtare. Po ashtu, forcoi lidhjet me Kinën dhe besohet se ka armatosur Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës, si dhe ka nisur një sulm masiv me dron e raketa kundër Izraelit në kuadrin e luftës kundër Hamasit në Rripin e Gazës. Po ashtu, Republika Islamike ka vazhduar të armatosë grupet në Lindjen e Mesme, si rebelët Houthi të Jemenit e Hezbollahun e Libanit.