Bota

Emigracioni i paligjshëm, DW: Meloni e interesuar për “hotspots” në Afrikë!

Vështrimi i Giorgia Melonit u shtri për pak kohë mbi 100 gazetarët e pranishëm në sallën e konferencave të Dhomës së Deputetëve. Më pas, kryeministrja italiane zgjodhi një përzierje të pranimit dhe shpalljes së luftës.

E pyetur nëse është e kënaqur me rezultatet e politikës së saj të migrimit deri sot, Meloni u përgjigj: “Nëse më pyesni nëse jam e kënaqur, unë do t’ju them: ‘Jo’. Por nëse më pyesni, nëse pres të jem e kënaqur në fund të mandatit do të them: pikërisht për këtë po punoj.’”

Kryetarja e qeverisë së djathtë italiane theksoi se “lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe ndalimi i emigracionit të paligjshëm” mbetet një nga prioritetet e saj.

Dy herë më shumë emigrantë mbërrijnë nëItali

Meloni është nën presion në vendin e saj përsa i përket migrimit, siç u bë e qartë në konferencën e saj tradicionale vjetore për shtyp. Në të vetmin takim të thelluar me gazetarët këtë vit, kryetarja e qeverisë u pyet disa herë për këtë çështje. Ndryshe nga premtimet e Melonit gjatë fushatës zgjedhore, numri i emigrantëve që mbërrijnë në Itali është më shumë se dyfishuar në krahasim me qeverinë e mëparshme Draghi.

Meloni njoftoi se donte të kërkonte një ashpërsim të mëtejshëm të politikës së azilit të ashpërsuar së fundmi në Evropë. Pesëmbëdhjetë ditë më parë ajo e kishte mbështetur paktin evropian për migracionin dhe azilin “sepse rregullat janë më të mira se më parë”.

“Por,” tha Meloni duke e theksuar zërin e saj “kjo nuk është zgjidhja! Ne nuk do ta zgjidhim kurrë këtë problem nëse fokusohemi vetëm në diskutimin si t’i shpërndajmë emigrantët pasi të kenë mbërritur në Evropë”.

Për Melonin nuk mjafton angazhimi i BE

Në dhjetor, Bashkimi Evropian ra dakord t’i kryejë procedurat e azilit në të ardhmen, në kufijtë e jashtëm të deportojë më shpejt emigrantët dhe t’i shpërndajë migrantët që vijnë në mënyrë më të drejtë brenda Bashkimit Evropian.

Tashmë Meloni e ka bërë të qartë se kjo nuk i mjafton dhe se dëshiron të shtojë diçka në kompromisin e saponegociuar. Qëllimi duhet të jetë që të vendoset që në tokën afrikane se kush lejohet të hyjë në Bashkimin Evropian: “Qëllimi im është të punoj në Afrikë dhe në Afrikë t’i ndaloj largimet “. Kjo përfshin “konsiderimin e mundësisë së krijimit të “hotspots” në Afrikë për të vendosur se kush ka të drejtë dhe kush nuk ka të drejtë të vijë në Evropë”.

Marrëveshja e Italisë me Shqipërinë është e bllokuar

Me këtë propozim për pikat e nxehta të BE-së në Afrikë, Meloni i rikthehet një kërkese nga fushata e saj elektorale. Deri tani, shtetet e Bashkimit Evropian i kanë menaxhuar  këtë lloj pikash të nxehta vetëm në territorin e komunitetit.

Në nëntor, Meloni lidhi një marrëveshje dypalëshe me Tiranën për migrimim, e cila parashikon krijimin e qendrave të pritjes për emigrantët në Shqipërinë jashtë BE. Kjo marrëveshje aktualisht është pezulluar për shkak të dyshimeve të ngritura nga një gjykatë shqiptare.

Refuzim i qartë i AfD-së

Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me partnerët e saj të mundshëm të aleancës në nivel evropian, Meloni e hodhi poshtë AfD-në gjermane. Ajo tha se ka “dallime të papajtueshme” me AfD-në. Kryetarja e partisë së ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë” e justifikoi distancimin e saj nga AfD duke përmendur ndër të tjera marrëdhëniet e saj me Rusinë. Me Melonin, qeveria italiane mbështet linjën e BE për të ndihmuar Ukrainën ushtarakisht dhe financiarisht kundër sulmit rus.

Lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme, Meloni dënoi “sulmin mizor të Hamasit më 7 tetor” kundër civilëve izraelitë. Ajo kritikoi gjithashtu faktin se aktualisht ekziston një antisemitizëm që “maskohet si kritikë ndaj Izraelit”.

Meloni përjashton një deputet nga partia e saj

Për sa i përket politikës së brendshme, Meloni ka komentuar polemikat rreth projektligjit të drejtësisë, i cili ndër të tjera kërkon të kufizojë të drejtën e gazetarëve për të raportuar për urdhër-arrestet. Në të ardhmen, nuk do të jetë më e mundur të citohen urdhër-arrestet në Itali. “Sinqerisht, këtu nuk shoh mbyllje të gojës”, deklaroi Meloni. Ajo mendon se reforma e planifikuar është një “rregullim i balancuar mes të drejtës për informim dhe të drejtës së qytetarëve për të mos gjetur në gazeta detaje që mund të cënojnë dinjitetin e tyre para se të jetë marrë një vendim”.

Në një çështje që ka shqetësuar prej ditësh mediat italiane, Meloni është përkulur sot para presionit publik. Ajo njoftoi përjashtimin e deputetit Emanuele Pozzolo nga partia “Vëllezërit e Italisë”. Sipas mediave, Pozzolo, pasuesi i Melonit, kishte qëlluar me armë në një festë të Vitit të Ri, duke plagosur në këmbë një mysafir të festës.

Marrë nga DW