Aktualitet Fol Sociale

“Fol me Anila Hoxhën” – Administrata paralele!

Në fund të vitit të kaluar Komisioneri për mbrojtjen nga Diskriminimi shpalli si diskriminim shkarkimin nga detyra të një infermiereje e cila kërkoi pranë tyre mbrojtje nga eprori. Largimi nga puna në Spitalin Rajonal “Memorial” Fier kishte ndodhur mbasi vendosi në dijeni titullarët për medikamente që nuk plotësonin specifikimet për datën e skadencës. “Më diskriminuan sepse ndërgjegjja nuk më lejoi të pranoja shkeljet të po ndodhnin në detyrë, tha infermierja për të cilën komisioneri e gjeti të bazuar pretendimin e diskriminimit. Sa respektohet Kodi i Punës dhe sa të mbrojtur jemi? Ku mund të drejtohemi tjetër veç gjykatës? Këtyre pyetjeve do tu japim përgjigjje sonte. Së pari le të dëgjojmë Albana Rucin, police burgjesh e cila u shkarkua nga detyra ditën që shfaqi probleme shëndetësore.

Anila Hoxha: Albana, sa vite punove si efektive në policinë e burgjeve?

Albana Ruci: 12 vjet.

Anila Hoxha: Çfarë ndodhi?

Albana Ruci: Ka qenë një moment, ka qenë data 20 gusht 2020, para se të merrja shërbimin, unë operoja në sallën operative. Ishim 5 efektivë që operonim atje. Atë ditë njëra nga koleget ka qenë me leje të zakonshme dhe tjetra ishte me raport. I binte që ne ishim tre dhe ne punonim me tre turne. I pari, i dyti, i tretë… Unë atë natë merrja turnin e tretë. Nuk isha mirë nga gjendja shëndetësore dhe para se të  marrim shërbimin, ne marrim një instrutazh nga oficerat e shërbimit. E sinjalizova, e njoftova që unë nuk jam e aftë për shërbim sot. Meqë ishte situata që dy nga efektivat mungonin, më tha që “turni i tretë është, nuk ka shumë dinamikë brenda në paraburgim. Paraburgim është, nuk është burg që janë vështirësitë që mund të arratisen”. Ne monitorojmë, nqs. unë konstatoja ndonjë parregullsi, e njoftoja “shihe tek ky numër, psh. tek kjo kamer”.

Anila Hoxha: Qëndrove, meqënëse ishe në pamundësi?

Albana Ruci: Po.

Anila Hoxha: Megjithëse ishe në pamundësi shëndetësore, ishte e pamundur të pushoje dhe e more shërbimin?

Albana Ruci: E mora shërbimin. Shërbimi filloi shumë mirë. Nuk e mbaj mend se cfarë orë ka qenë. I kam thënë që nuk po ndihem mirë, megjithëse ishte edhe gusht dhe mbaj mend që ka qenë shumë vapë. Janë shumë faktorë ndoshta edhe mosha. Edhe i them “sinjalizoje oficerin, që nuk po ndihem mirë. A mund të zbres pak poshtë”? Se kishin kondicioner. Kurse ne, nuk kishim kushte lart, tek salla. “Po patjetër. Se monitoroj unë”, tha. Ndërkohë, që sinjalizohej edhe infermieri që operonte, që kishte turnin brenda. Ka dalë jashtë, më ka bërë një gjilpërë. 

Anila Hoxha: Këto janë të vërtetuara me…?

Albana Ruci: Jo vetëm ajo. Ata i kanë deklaruar.

Anila Hoxha: Vjen infermieri për të të asistuar…?

Albana Ruci: Vjen infermieri më bën një gjilpërë. Qetësohu më tha. Pas disa ditësh, më njoftojnë që duhet të lija punën sepse jam konstatuar me shkelje të rënda.

Anila Hoxha: Cilat ishin këto shkeljet sipas tyre? Kishe lënë vendin e shërbimit?

Albana Ruci: Po, kisha lëvizur nga vendi i shërbimit. Ndërkohë që unë kisha lëvizur me leje dhe kjo është brenda rregullores.

Anila Hoxha: Dhe për ndihmë mjekësore?

Albana Ruci: Mora ndihmë mjekësore. Është një klauzolë që bie ndesh me rregulloren atje, nqs. operatori lëviz nga vendi i shërbimit duhet të zëvëndësohet nga ndihmësi, por është edhe një klauzolë tjetër që bie ndesh me këtë që thotë “asnjë njeri nuk lejohet të hyjë në sallë pa u trajnuar në sistemin e kamerave”. Kështu që ndihmësi ishte i patrajnuar me sistemin e kamerave. Gjithsesi, ne monitoronim tek kamerat që ishin poshtë tek zyra e informacionit sepse unë po merrja ajër, nuk isha mirë.

Anila Hoxha: Nuk e morën fare parasysh? Pra, bëre një kundërshtim? Të sollën një shkresë? Çfarë ndodhi?

Albana Ruci: Po, më sollën një shkresë. Më informuan që kjo është shkelja që ke bërë. Mua mu duk qesharake  për momentin. Inat është. Sëmurë kam qenë. Nuk i morën parasysh.

Anila Hoxha: Kishe të drejtë të mbroheshe aty? Kishte një komision tjetër?

Albana Ruci: Jo, sepse direkt shkonim në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, si çështje. Kam dalë me masën disiplinore në komision. Nuk e pranuan absolutisht as deklaratën e oficerit, as të ndihmësit, as të infermierit “që kjo zonja ka qenë e sëmurë”. Jo vetëm ajo, ne i shkruajmë ligjet, ne i shkelim, ne bëjmë përjashtime. Unë isha nga të parat që kam filluar atje, trajnuar, certifikuar, testuar nga Ministria e Drejtësisë, nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe nga Komiteti i Helsinkit.

Anila Hoxha: Nuk u dëgjove sërisht? Meqënëse kishe këtë karrierën, këtë formimin, përkushtimin. Meqënëse ishe e sëmurë dhe ishe në detyrë.

Albana Ruci: Jo vetëm ajo, por edhe një kryefamiljare me tre jetimë, as këtë nuk e morën parasysh. Më hodhën, m’u si plehrë më kanë hedhur. Jam ndier shumë e poshtëruar, shumë e fyer, kisha një përgjegjësi të madhe, sepse fëmijët i kisha ende të vegjël. Me qira isha, thosha si do mbijetoj. Gjithsesi dola sërisht në komision sepse ia deleguan Ministrisë së Drejtësisë. Aty pothuajse kam dalë gati 5 (pesë) herë kam shkuar në Tiranë. Ata më rikthenin në punë, drejtori i përgjithshëm i burgjeve linte në fuqi vendimin e vet. Dmth kjo donte të thoshte kishte diçka në mes.

Anila Hoxha: Çfarë mund të ishte kjo? Kishin punësuar dikë tjetër?

Albana Ruci: Jo, jo. Mendoj që drejtori i atëhershëm i paraburgimit në Vlorë duhet të kishte diçka personale me oficerin sepse ai i kishte dy vërejtje. Unë nuk kisha marrë asnjëherë vërejtje në kaq vite. Dhe nuk u mor as kjo parasysh, mendoj unë kjo do jetë shkaku.

Anila Hoxha: Nuk u ktheve? Sa kohë prite?

Albana Ruci: Gati dy vjet po. Ndërkohë që unë kisha hapur një gjyq.

Anila Hoxha: Kërkove kthimin në punë?

Albana Ruci: Kërkova rikthimin në punë. Kërkova mbi të gjitha dëmshpërblimin moral sepse po ndihesha më shumë keq edhe para njerëzve. Pse të larguan të gjithë? Kush ishte motivi? Duke u nisur edhe nga statusi im civil edhe mund të më gjykonin, ndërkohë që ne monitorohemi nga kamerat. Vetëm salla kishte 6 kamera.

Anila Hoxha: Çfarë ndodhi në proces, në shkallën e parë?

Albana Ruci: Fitova gjyqin, u riktheva në punë. Ndërkohë që unë kisha filluar në një institucion tjetër.

Anila Hoxha: Zgjati procesi?

Albana Ruci: Zgjati goxha. Unë ndihem ende e fyer. Sepse unë tre fëmijët i lija vetëm, punoja me të tre turnet. Nuk e meritoja unë këtë (qan). Nuk e meritoja.

Anila Hoxha: Fillove  detyrën tjetër dhe ndërkohë je e bindur që do shkosh deri në fund ta marrësh gjithë atë…? E kundërshtoi institucioni që humbi shkallën e parë?

Albana Ruci: Patjetër. Unë ia kam lënë në dorë avokatit tim dhe nëpërmjet tij informohem. Vazhdon apeli.

Anila Hoxha: Ku e gjen gjithë këtë këmbëngulje? Edhe megjithëse ke fituar? Ke filluar një punë tjetër? Do ti shkosh deri në fund, me këtë forcë, me këtë kurajo?

Albana Ruci: Karakteri im. Ndoshta mëmësia e gërshetuar edhe me atësinë. Se të bësh rolin e nënës dhe të babës është shumë e vështirë (qan).

Anila Hoxha: Sa kohë qëndrove pa punë?

Albana Ruci: Pothuajse 2 (dy) vjet e gjysëm, po.

Anila Hoxha: Pse ndihesh e fyer?

Albana Ruci: Në radhë të parë kam sakrifikuar shumë për atë punë. Edhe në testimet, edhe në trajnimet. Jam trajnuar gati mbi 6 muaj dhe trajnoheshim çdo 3 muaj, çdo 6 muaj. Kur kam aplikuar atje kam aplikuar si psikologe, në bazë të shkollës që kisha mbaruar. Ishin të zëna vendet. Ok efektive, i thashë. Më panë një çik skeptike, se ndoshta dukesha e re. Kam qenë përgjegjëse në seksionin e minorenëve edhe vështirësia më e madhe që të shikoja fëmijët të vegjël mbyllur në dhoma se termi “qeli” ne nuk e përdornim më. Në fillim edhe qaja, “obobo thoja ku punoj” edhe më vinte keq. Gjithsesi, edhe kam ngrënë edhe grushte. Sepse ne i mbronim me jetë. Ka ndodhur një konflikt me të rriturit, shumë vështirësi. Kemi shoqëruar kriminelë në seancat gjyqësore, kemi rrezikuar jetën. Thjesht fakti që unë lija 3 fëmijët të vegjël në shtëpi dhe vrapoja në shtëpi sa herë që më thërrisnim. Mungonte efektivi kam bërë edhe 16 orë. Kush tha bravo?! Askush. Për arsye shëndetësore, mua nuk më dha askush gishtin, të më thoshin ok, tjetër herë nuk do përsëritet. Sepse ka edhe shkallë atje.

Anila Hoxha: Çfarë i dha kaq shumë fuqi punëdhënësit në rastin tuaj?

Albana Ruci: Në rastin tim unë e quaj nepotizëm.

Anila Hoxha: Si veprove mbasi të hoqën?

Albana Ruci: Po ta them në mënyrë figurative. Bota rrëshkiti në këmbët e mia. Unë dilja nga shtëpia dhe ndihesha shumë e fyer. Sepse njerëzit më thoshin “për çfarë të hoqën nga puna, kush ishte motivi që të hoqën nga puna?”. Qoftë edhe me ironi. Unë doja të vija të drejtën time morale në vend. Pastaj materiale.

Anila Hoxha: U këshillove me dikë apo teksa po përpiqeshe të bisedoje me familjen?

Albana Ruci: Unë thjesht… Jo, unë në vendimmarrjet në jetën time i kam marrë vetë gjithmonë. Dhe mirë më kanë dalë. Kontaktova nipin tim që është avokat, Thoma Dhimolea. U konsultova me të.

Anila Hoxha: E pate të vështirë ti mblidhje provat?

Albana Ruci: Në momentin që i ke të parashtruara qoftë edhe të memorizuara në trurin tënd nuk është e vështirë. Se besoj.

Anila Hoxha: Si justifikoheshin në shkallën e parë, juristët e drejtorisë?

Albana Ruci: Thjesht ka lëvizuar nga vendi i shërbimit dhe ka kryer shkelje. Shkelje të rëndë flagrante. Lëvizje nga vend shërbimi. Pa marrë parasysh që ne jemi edhe njerëz. Kemi edhe nevoja personale.

Anila Hoxha: Gjykata tha jo, gjykata tha që ju ishit sëmurë edhe kishit edhe nevoja personale?

Albana Ruci: Po, duke shqyrtuar ose rishqyrtuar dokumentacionin, nxorri në konkluzionin që kisha të drejtë.

Anila Hoxha: Si tu duk atë ditë kur tha gjykata të jap të drejtë?

Albana Ruci: Faktikisht, u çlirova shumë dhe desha ta falenderoja me zemër atë gjyqtarin (qan).

Anila Hoxha: Një mesazh për këdo që largohet nga puna?

Albana  Ruci: Forcë. Luftoni me forcë për të drejtat tuaja.

Nga viti 2013 deri në 2023 fatura e paguar nga Ministria e Financave për egzekutimin e vendimeve gjyqësore ndaj punonjësve të larguar nga administrata dhe që hapën procese në gjykata është 17, 131,314,603.18 ( 17 miliardë e 1313 milionë). Kjo shifër e lartë tregon se si për dhjetë vjet për qindra të larguar nga puna në institucionet qëndrore, komuna drejtori arsimore, reprate ushtarake e te tjera drejtësia pranoi se ishin larguar në shkelje të ligjit.

Për të diskutuar për këtë çështje për problematikat dhe gjithçka ndeshet në çështjet e marrëdhënies së punës është gjyqtarja Elda Vrionin, një gjyqtare karriere e cila do të shpejgojë gjithçka me detaje. Aktualisht është gjyqtare administrative në Gjykatën e Apelit Administrativ, që është një e vetme në Tiranë.

Anila Hoxha: Zonja Vrioni, përshëndetje dhe faleminderit që pranuat ftesën tonë.

Elda Vrioni: Përshëndetje Anila dhe faleminderit për ftesën.

Anila Hoxha: Sa e respektojnë Kodin e Punës të dyja palët, si punëdhënësi dhe punëmarrësi? A kërkohet në gjykatë një negocim me punëdhënësin?

Elda Vrioni: Kodi i Punës, i cili është i zbatueshëm vetëm për një kategori punonjësish, jo për të gjithë, prezumohet që ta zbatojnë si punëdhënësi dhe punëmarrësi. Unë nuk di të flas me statistika, në nivel kombëtar, por di të them që numri i çështjeve që i drejtohen gjykatave administrative por edhe gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, dikur gjykatat civile është relativisht i lartë. Më kujtohet që, kur u krijuan gjykatat administrative u bënë disa statistika për të parë cila është pesha që duhet të zërë kjo gjykatë dhe cilat janë çështjet që duhet të gjejë trajtesë, pra objekti i veprimtarisë gjyqësore dhe në fakt kishte shumë çështje me objekt pretendime apo mosmarrëveshje që lidheshin me kontratat e punës.

Anila Hoxha: Aktualisht rezulton që sërisht ka shumë padi?

Elda Vrioni: Ka shumë çështje. Çështjet që kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet nga marrëdheniet e punësimit shqyrtohen fillimisht në shkallë të parë dhe pastaj vijnë mbi bazë ankimi në Gjykatën Administrative të Apelit. E njëjta gjë ndodh edhe në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm dhe në nivel apeli, për shkak të “baclong-u” të krijuar, shqyrtohen mosmarrëveshje të cilat në fakt janë vendimuar disa vite më parë, ndërkohë që çështja e të dërguarit në gjykatë të konflikteve të reja vijon. Dhe është rezultat i shumë faktorëve, psh. situata ekonomike në vend, punëdhënës të cilët në një moment të caktuar në sektorin privat nuk përballojnë të gjitha përgjegjësitë dhe mbyllin frontet e punës.

Anila Hoxha: Megjithëse, ju jeni gjyqtare administrative ju shqyrtoni një natyrë tjetër padish në raport midis punëdhënësit dhe punëmarrësit, ku paditës është nëpunësi më së shumti dhe të paditur janë institucionet shtetërore. Cila është tipologjia që ndeshni gjatë këtyre gjykimeve administrative? 

Elda Vrioni: Në objektin e veprimtarisë të gjykatës administrative janë vetëm disa ligje, pra gjithmonë në sektorin publik. Por, mbi bazën e rregullimit ose të një ligji të posaçëm psh. policia e shtetit ose nëpunësi civil që e parashikon edhe dispozita, që  gjithashtu ka edhe një garanci dhe ligji shumë të veçantë, nëpunësi gjyqësor etj. Pra, ka disa parashikime që ia japin gjykatës administrative këtë fushë veprimtarie psh. nëse anëtarët e komisionit të prokurimit publik do të largoheshin nga detyra dhe do ta kontestonin këtë gjë, flasim për një largim të parakohshëm sepse ata janë me mandate, do të vijë siç kanë ardhur në gjykatën administrative. Po kështu, punonjësit e policisë së shtetit, po kështu punonjësit e policisë së burgjeve, po kështu punonjësit e shërbimit informativ të shtetit, po kështu nëpunësit civil, punonjësit  e gardës.

Anila Hoxha: Dhe më së shumti për çfarë vijnë nëpunësit civil? Janë vlerësuar me 2 – 4 dhe për këtë arsye duhet të largohen? Po, punonjësit e policisë së shtetit?  Cili është pretendimi i tyre më i zakonshëm?

Elda Vrioni: Shumica e padive janë për ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Pra, punonjësit e policisë vijnë në gjykatë edhe kur shkarkohen dhe përjashtohen nga policia e shtetit. Mbasi janë proceduar disiplinarisht, por në disa raste edhe penalisht nëse ka një vendim të formës së prerë. Dhe situata tjetër është kur ata lirohen dhe situata e lirimit që parashikohet gjithashtu në ligj, nëse në vlerësim të tyre nuk plotëson standartet, kërkesa e ligjit është e kontestueshme në rrugë gjyqësore.

Anila Hoxha: Ndërsa nëpunësit?

Elda Vrioni: Nëpunësit civil vijnë jo vetëm për situatën drastike, pra kur janë larguar nga detyra por edhe për çështjet e vlerësimit profesional. Është kjo që ju thatë, që vlerësimi i nëpunësit civil është shumë i rëndësishëm për efekt karrierë, por jo vetëm. Nëse ka dy vlerësime të njëpasnjëshme thotë ligji për nëpunësin civil që janë me vlerësime minimale, pra pamjaftueshëm, niveli 4 është pamjaftueshëm dhe këto 2 vlerësime janë konsegutive, të njëpasnjëshme. Ky është një moment shumë i rëndësishëm. Atëherë kjo përbën shkak për largim nga shërbimi civil. Dhe në këtë rast duke ditur tashmë të  gjithë nëpunësit e shërbimit civil, ata që kanë marrë status dhe kanë garancinë nga ligji, duke ditur këtë gjë në fakt vijnë në dyert e gjykatës që në momentin që kanë një vlerësim të parë negativ. Që për për 4 (katrën) e parë është vlerësimi i parë në nivel të pamjaftueshëm.

Anila Hoxha: A e ka të dokumentuar, sektori juridik i institucionit të paditur se pse e ka të vlerësuar me 4 (katër) nëpunësin e shërbimit civil, qoftë me vlerësimin e parë me 4(katër), qoftë për të dyja rastet, që sjellin pasojën, pra largimin nga detyra?

Elda Vrioni: Sigurisht, që është në barrën e provës të subjektit punëdhënës ose organit publik të paditur që ti provojë gjykatës dokumentarisht një për një, që justifikojnë vlerësimin e bërë nga ana e tij për secilin komponent. 

Anila Hoxha: A i sjell shteti këto prova? Apo edhe institucionet shtetërore  mjaftohen me formularin?

Elda Vrioni: Në asnjë rast nuk mund të mjaftohesh me formularin. Sepse formulari ka pasqyruar në mënyrë të koncentruar argumentat dhe konkluzionet  por nëse psh. në vlerësimin e titullarit apo të eprorit direkt nëpunësi civil nuk i është përgjigjur detyrave brenda afateve kohore, brenda parametrave të caktuar që duhen ti trajtonte, ne kërkojmë që të na vërtetohet kjo gjë. Pra, kërkojmë referenca konkrete, raste konkrete. Unë kam patur disa raste personalisht, kur nëpunësit civil kanë pretenduar parregullsi të vlerësimit madje kanë thënë që janë vlerësuar minimalisht, kur në vlerësimet e mëparshme kam kapur maksimumin.

Anila Hoxha: Është ky esktremiteti i palogjikshëm?

Elda Vrioni: Ky ekstremiteti apriori ndoshta nuk them dot i palogjikshëm, por ka një diferencë, e cila të ngjall kërshëri që duhet verifikuar sepse nuk mundet që një nëpunës cilësor të kthehet në një nëpunës të pazotë në atë masë sa që  të largohet fare nga shërbimi civil.

Anila Hoxha: A mendoni se ka nevojë për përmirësime ligjore për ta bërë punonjësin më të mbrojtur ndaj institucionit ku ai është i angazhuar?

Elda Vrioni: Unë mendoj që fushat për përmirësim dalin rast pas rasti në varësi të problematikave që sillen në gjykatë. Më problem sesa përmirësimi në vetvete është zbatimi me korrektesë. Ndonjëherë, çështja e zbatimit të duhur është edhe rezultat interpretimi. 

Anila Hoxha: A kemi ne organe publike që tregohen arbitrare me nëpunësit dhe largojnë ata nga shërbimi civil?

Elda Vrioni: Arbitrariteti  nëse ne do ta barazonim me largimin e paligjshëm nga detyra, raste të tilla ka, sigurisht. Ka shumë raste kur gjykata shkarkimin nga detyra ose largimin nga shërbimi civil ose përjashtimin nga po themi nga strukturat e policisë të një punonjësi e gjen të pajustifikuar. Nëse ne, arbitraritetit do ti vendosim një tjetër dozë, pra a jemi në kushtet kur veprime të tilla bëhen enkas nuk mendoj që gjykata në analizën e vet i referohet këtij boshti por shikon se ligji është zbatuar. T’ju jap një shembull. Ka raste kur lirohen nga detyra punonjës të policisë për shkak të ristrukturimit, për shkak të ri-organizimit dhe nuk ka vende të mjaftueshme. Gjykata kërkon informacion mbi bazë strukture, më bindni që rrethanat janë të tilla që ju jeni të detyruar që ta lironi punonjësin e policisë sepse nuk ka mundësi sistemimi. Dhe kjo është një analizë në bazë të ligjit të provave.

Anila Hoxha: Cilat janë institucionet e tjera që me pretendimin e ristrukturimit të institucionit nuk kanë gjetur vend dhe kanë larguar nëpunësin? 

Elda Vrioni: Mbaj mend që në vitin 2013 -2014 për shkak të, po ta quajmë kështu të “riformatimit” të shumë ministrive ka patur shumë lëvizje të kësaj natyre. Të gjitha kanë gjeneruar në çëshje gjyqësore dhe sigurisht rezultatet e gjykimit kanë qenë të ndryshme. 

Anila Hoxha: Ka patur para disa vitesh një diskutim ku thuhet se kostoja e largimit të padrejtë e një punonjësi nëse vërtetohet i tillë nga gjykata ta paguajë eprori. Diçka e tillë nuk gjeti zbatim ligjërisht por sipas jush edhe njëherë ku duhet ndryshuar ligji? 

Elda Vrioni: Unë nuk e shikoj ngërçin tek ligji sesa tek nevoja për zbatimin e ligjit si duhet. Duhet titullari i një organi të mbajë vetë përgjegjësi financiare në rastin e një largimi të padrejtë nga puna? Është shumë i guximshëm, si parashikim. Personalisht, mendoj që jo.

Anila Hoxha: Cila është pjesa më e vështirë në gjykimet me objekt paditë e marrëdhënieve të punës?

Elda Vrioni: Kur situatat janë të rralla. Si psh. largimi i një anëtari të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë ose psh. largimi i një anëtari të AKEP, që është Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Anila Hoxha: Po pse duhet bërë diferencën largimi i një punonjësi të tillë? 

Elda Vrioni: Specifikat e ligjit. Specifika e ligjit prezanton një rast juridikisht të vështirë përpara gjyqtarit. 

Anila Hoxha: Ka një rast që ju vazhdoni zonja gjyqtare ta keni në kujtesë? E keni konsideruar si një rast të vështirë qoftë edhe emocionalisht?

Elda Vrioni: Më kujtohet sesi ka patur kryetar komunash që largonin njerëzit që kishin vite që punonin edhe në shënimin që në aktin e largimit për bindje politike që është në kuptim të ligjit është një motiv abuziv i themi ne.

Anila Hoxha: Është jo kushtetues, jo ligjor?

Elda Vrioni: Pa diskutim që është në kundërshtim të Kushtetutës, që garanton parimin e barazisë dhe të mosdiskriminimit dhe padiskutim në kundërshtim me Kodin e Punës, i cili në fakt penalizon punëdhënësin nëse bën të tilla gabime dhe të largon nga detyra, le të themi sepse ti do shkëputesh për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak ose për shkak se ti ke një përkatësi të caktuar. Ose për shkak sepse ti je në ushtrim të një të drejtë kushtetuese që ti do të marrësh lejen tënde dhe ai të thotë nuk ta jap lejen, por nëse ti insiston unë fare të largoj nga puna. Ka një grup njerëzish që konsiderohen aset, për çdo institucion, për çdo fushë sepse janë specialistë, mund të kenë eksperiencë shumë të gjatë ose mund të prezantojnë vlera të rralla përsa i takon përgatitjes profesionale. Dhe është mirë që të tillë individë të mund të mbështeten dhe të vlerësohen nga të gjithë titullarët. Cilido qofshin ata.

Anila Hoxha: E kanë garancinë nëpunësit sot dhe asetet që të jenë të palëvizshëm? 

Elda Vrioni: Në nivel ligji e kanë Anila. Çështja është si ne e zbatojmë ligjin. Pa diskutim.

Anila Hoxha: Zonja gjyqtare, megjithatë është vënë re që në masën 70 %, qytetarët janë fitues të padive me objekt marrëdhëniet e punës. Si shpjegohet kjo dhe çdo të thotë për buxhetin e shtetit?

Elda Vrioni: Në momentin që konstaton që largimi ka qenë në kundështim me ligjin, urdhëron kthimin në pozicionin e punës, ndërkaq do ti paguhet paga, do ti paguhet paga që në momentin që është larguar nga detyra deri në ditën e zbatimit  të vendimit të gjykatës. Shumë vendime të tilla dhe duke prezumuar që puna nuk ka reshtur nëpër ato institucione për të njëjtën periudhë, që punëmarrësi në të njëjtën kohë gjyqfituesi kërkon pagën, dikush tjetër ka punuar dhe ka ushtruar detyrën gjatë gjithë kësaj kohe. Kështu, që sigurisht që edhe fatura financiare është e lartë.

Anila Hoxha: Kemi patur edhe raste ku rezulton se punëmarrësi ishte jashtë Shqipërisë dhe ndërkohë rezultonte i punësuar në një institucion shtetëror. Mbaj mend rastin e një punonjësi në Gardën e Republikës. 

Elda Vrioni: Ndoshta vite përpara mund të jetë pretenduar por mosparaqitja në detyrë, pra një person që nuk respekton disiplinën në punë është një nga shkaqet më klasike për ti dhënë fund marrëdhënies së punës. Sikundër një tjetër punëmarrës mund të mos ketë kapacitetet për t’iu përgjigjur përgjegjësive të punës dhe mund ti shkaktojë dëme institucionit, sigurisht që zgjidhja është e justifikuar.

Anila Hoxha: Këto janë dy shembujtë tipikë se pse largohen nga detyra punonjësit?

Elda Vrioni: Pastaj ka edhe raste sporadike sepse mund të punosh mirë, por nëse një episod i caktuar, shkelja disiplinore ështe vërtet e rëndë dhe përbën precedent, sigurisht që zgjidhja e kontratës të punës del e justifikuar.

Anila Hoxha: Sa rëndë e shkelin ligjin punëmarrësit si psh. përdorin alkool. Deri në çfarë niveli arrijnë shkelja e punëmarrësit?

Elda Vrioni: Ka patur edhe raste kur punonjësit e policisë të shtetit gjatë ushtrimit të detyrës dhe me uniformë ka konsumuar alkool, nuk janë toleruar dhe në vlerësimin tim me shumë të  drejtë. Edhe në fakt përbën shkelje të rëndë disiplinore,  kjo situatë në Rregulloren e Policisë së Shtetit. E mora si shembull këtë.

Anila Hoxha: Po nëpunësit e tjerë çfarë shkeljesh të rënda disiplinore kryejnë?

Elda Vrioni: Mospërmbushja e detyrave funksionale është në vlerësimin tim, një nga shkaqet më….

Anila Hoxha: Duket shumë e përgjithshme? Po çfarë nuk bëjnë ata?

Elda Vrioni: Çdo punëmarrës ka përgjegjësitë e veta brenda pozicionit të punës që i është dhënë. Brenda detyrës që ushtron. 

Anila Hoxha: Pajisja me një raport mjekësor pafundësisht, vazhdon të përdoret si një argument për të shmangur largimin?

Elda Vrioni: Ka raste. Në të gjitha institucionet në bashki, në ministri, në institucionet e tjera, në varësi të ministrive. Ka raste kur punëmarrësit ose për arsye të caktuara marrin raport për kohë të gjatë ose kur fillojnë dhe prishen raportet brenda marrëdhënies së punësimit dhe parandiejnë që mund ti vijë fundi kontratës, e përdorin këtë si mundësi për të fituar kohë ndoshta.

Anila Hoxha: Sa zgjat kjo? Ndërpritet marrëdhënieja e punës në këto rrethana?

Elda Vrioni: Në parim, marrëdhënia e punës nqs. punëmarrësi është me raport të justifikuar mjekësor nuk ndërpritet.

Anila Hoxha: Tani flasim për sektorin privat. Sa zbatohet Kodi i Punës në privat?

Elda Vrioni: Në sektorin privat, kontrata nuk është gjë tjetër, veçse një riprodhim i parashikimeve të Kodit të Punës. Ajo që ka ndodhur kanë ngritur prentendime mbi pagesat për kohën jashtë orarit sepse mund të jetë e pranueshme edhe është e njohur edhe nga Kodi i Punës, që për nevoja pune punëmarrësi mund të qëndrojë përtej orarit. Kjo është një gjë që ndodh në gjithë botën, pra të punosh përtej një orari fiks të përcaktuar në kontratë nuk është një shkelje e madhe e ligjit, nëse kjo justifikohet me nevoja të punës. Ajo çfarë duhet të ndodhë është që punëmarrësi duhet të paguhet për kohën jashtë orarit e cila është e vlerësuar më shumë sesa koha brenda orarit sikundër puna në fundjavë është më e mirëpaguar.

Anila Hoxha: A paguhen?

Elda Vrioni: Paguhen. Duhen të paguhen dhe në shumë raste paguhen. Ka situata që paguhen por në këtë raste vihet në gjykatë.

Anila Hoxha: Zonja gjyqtare, cilat janë institucionet më të paditura nga  punonjësit me objekt “largimin pa të drejtë nga puna”?

Elda Vrioni: Institucionet ku ka ri-organizime, të cilat rezultojnë në largime masive nga puna, bëhen objekt padish në gjykatë.

Anila Hoxha: Kush janë 3 institucionet më të paditura, gjatë karrierës tuaj 23 vjeçare që keni vënë re?

Elda Vrioni: Mund ta përmbledh në mënyrë tërësore që psh. paditë ndaj ministrive kanë qenë të shpeshta. Nuk di të them një klasifikim.

Anila Hoxha: Ndaj bashkive?

Elda Vrioni: Po, ka largime në bashki. Patjetër që gjenerojnë në gjykatë.

Anila Hoxha: Policia, e thamë që i ka të shpeshta?

Elda Vrioni: Nuk di ta them me klasifikim, nuk e bëj  dot një  klasifikim sepse ka institucione, të cilat kanë raste sporadike. Por, ndonjëherë kur largimi është kolektiv, largohen 20 veta këto prodhojnë 20 padi, por kjo nuk dmth. në vetvete që  ai institucion është problematik në kuadër të shkëputjes së marrëdhënieve.

Këshilli i lartë gjyqësor vetëm për gjykatat administrative pranon se  aktualisht janë në pritje me paditë e mardhënieve të punës 2369 qytetarë prej të cilave 485 janë paditë më të reja. Edhe ata janë janë qytetarë që kanë ndërprerë mardhënien e punës me institucionet shtetërore. Tani kemi të ftuar mjeken psikiatre Laureta Selimaj e cila së fundmi hapi precedent në gjykatën kushtetuese për zvarritjen e një padie pune. Mjekja ka qenë në qendër të një hetimi vite më parë për të cilin 14 ditë u arrestua dhe u shkarkua pa patur një vendim fajësie. Në krye të 14 ditëve mjekja u lirua, mori pafajësi por rikthimi në detyrë qe i vështirë.

Anila Hoxha: Cila është padia juaj që keni depozituar?

Laureta Selimaj: Unë jam një person që jam mësuar tani me padi. Jam mësuar më vërejtje. Jam mësuar me kalvare vuajtjesh si nga ana e institucionit të spitalit psikiatrik ku unë punoj prej 17 vitesh ashtu edhe në dyert e gjykatës. Aktualisht, kohët e fundit ndaj meje është marrë një masë nga ana e drejtorisë së spitalit psikiatrik “Ali Mihali”, “vërejtje me paralajmërim për largim nga puna”,  për shkak se ndihmova një person. Detyra ime është të ndihmoj çdo person që paraqitet dhe kërkon ndihmë psikiatrike.

Anila Hoxha: Pra, argumenti është që ndihmove dikë apo shkele etikën dhe nuk ndoqe protokollin?

Laureta Selimaj: Unë kam dhënë ndihmë mjekësore te një person që ishte me një  diagnozë, gjendje post dehje alkoolike dhe me çrregullime të sjelljes. Një person, që është spitali psikiatrik, hyrja e parë, porta e parë që pret këta persona dhe më pas lidhen këta persona lidhen me shërbimin e adiktologjisë. U përpoqa të bëj punën time si mjeke. Nuk shkela as protokolle, nuk shkela as etikë dhe deontologji që jam akuzuar.

Anila Hoxha: Ku është shkelur kodi sipas jush?

Laureta Selimaj: Kjo ngjarje ka ndodhur në 27 shkurt dhe pacientin e kam mbajtur në observacion. Ishte pacient që ishte përdorues i alkoolit, por ndërkohë shfaqte edhe probleme të një axhitimi psiko-motor me dhunim psikologjik dhe me sjellje jo të mira në familje. Sa ishte bërë problem edhe familjarët kërkuan ndihmë. Bashkëveprimi i punës time do të ndodhte bashkë me profesorin dhe siç ndodhi me profesorin e alkoologjisë doktor Shpëtim Doksani që më dha direktivat e qetësimit të pacientit nga ana psikiatrike dhe më pas do të kalonte prej adiktologjisë. Duke qenë se pacienti nuk u pa nga data 27 deri në datë 29, u pa vetëm prej meje, u konsultua vetëm prej meje. Në datën 29 kur kishte dalë nga gjendja e abstinencws alkoolike që shfaqte  gjendje, kur raste kur pacienti kalon një krizë psikike dhe krizë somatike komprementojnë të gjitha organet dhe është një dyshim diagnoze. Ishte një sindromë enciklopadive dhe si mjeke i dhashë ndihmën dhe e shpëtova. Ndërkohë që kundërshtohem nga shefja e shërbimit, duke më dhunuar psikologjikisht si pacientin dhe mua dhe duke lejuar pacientin që duhet të dalë nga spitali dhe duke më lejuar edhe mua të bëj daljen e këtij pacienti. Urdhëruar, jo lejuar. Më urdhëroi që ky pacient të dalë se është alkoolist dhe nuk iu dha ndihmë as nga shërbimi komunitar, i cili u paraqit duke pretenduar me faktin që është i sëmurë për adiktologun.

Anila Hoxha: Pse jepet vërejtja? Ku duan të arrijnë me këtë “vërejtje” dhe përse e kundërshtoni ju në gjykatë, doktoresha?

Laureta Selimaj: Unë kam hapur këtë kërkesë padi për arsyen, në radhë të parë të një relacioni të bërë nga mjekët, drejtorisë dhe drejtoria që merr masë “vërejtje me paralajmërim për largim nga puna”. Mbështetur në nenin 37 të Kodit të Punës, kontratës individuale të punës dhe më japin masë disiplinore në datën 7 mars.  Ndërkohë në datën 11 mars më heqin duke u bazuar edhe në këtë vërejtje dhe në një mbledhje të këshillit tekniko-administrative mjekësor. Në datën 5 mars, më bëjnë heqje edhe si shefe, si drejtuese e shërbimit kronik që unë e mbaj prej 6 vjetësh.

Anila Hoxha: Çfarë parashikoni ju, se mund të ndodhë? Tanimë që ke hapur një betejë në gjykatë?

Laureta Selimaj: Unë mendoj që këto janë veprime të padrejta, jo ligjore, jo profesionale dhe në fund të fundit nuk mund të merren masa sepse ka institucione të tjera që i marrin këto masa. Nuk është mbledhja e mjekëve, relacioni i mjekëve nuk është vendimi i këshillit administrativ dhe një urdhër masë disiplinore që bën drejtuesja e spitalit për të më larguar.

Anila Hoxha: Kush e bën këtë gjë?

Laureta Selimaj: Institucioni, drejtuesja aktuale e cila shkresat që unë zotëroj tani, thotë “mbështetur në nene” që unë as i kuptoj, as më jam dëgjuar. Në radhë të parë, unë duhet të dëgjohesha. Në të dy rastet, në të dy mbledhjet, si në mbledhjen e datës 1 dhe në mbledhjen e datës 5, unë nuk jam dëgjuar nga askush. Unë nuk kam shfaqur mendimin tim ku qëndron e drejta dhe ndërkohë ku qëndron arsyeja e shtrimit të këtij të sëmuri dhe e ndihmës që dhashë unë si mjeke tek ky i sëmurë.

Anila Hoxha: Ndoshta doktoresha të gjitha këto masa janë marrë sepse dëshirojnë që të emërojnë dikë si shef aty?

Laureta Selimaj: Unë mendoj që e para, njëherë se ka protokolle në emërime, shefi i shërbimit është shef shërbimi.

Anila Hoxha: Pse e hapët këtë proces gjyqësor-administrativ? Shpresoni që drejtësia do të flasë?

Laureta Selimaj: Patjetër, që shpresoj. Kam shumë besim. Ashtu sikurse kam patur besim që drejtësia dhe në 2015, për të cilën unë kam edhe një vuajtje tjetër,  prandaj iu thashë që në fillim që kam shumë problematika, shumë luftëra, shumë goditje në atë spital. Unë fal sistemit të drejtësisë, falë durimit, falë këmbënguljes time si mjeke, si femër, si një njeri që kërkoj të drejtën, unë e kam gjetur në 2015. Unë u shpalla e pafajshme dhe për këtë, disponoj dokumentacione që fitova edhe pafajësinë burgimin e padrejtë që më ka ndodhur në qershor 2015. Dhe këtu do gjej drejtësi.

Anila Hoxha: Çdo të thotë për ju kjo masë “vërejtje” që keni kundërshtuar në gjykatë?

Laureta Selimaj: Të marrësh “vërejtje me paralajmërim për largim” është një dënim shumë i rëndë.

Anila Hoxha: Jeni bërë gati që ky proces të zgjasë për një kohë të gjatë?

Laureta Selimaj: Po. Unë jam përgatitur, siç iu thashë. Unë jam mësuar tani me këto procese. Por ama jam mësuar edhe me besimin që kam në drejtësi. Drejtësia do vendosë “pikën mbi i” dhe drejtësia do të triumfojë. Dhe jam e bindur dhe prandaj jam futur kësaj çështjeje. Dhe do fitoj.

Anila Hoxha: E menduat këtë moment që ndoshta do të ishte më mirë mos ta hapje këtë luftë dhe të qëndroje qetë apo ke një praktikë të mëparshme dhe jeta të ka mësuar që nuk duhet të heshtësh nuk duhet të dorëzohesh?

Laureta Selimaj: Mund të vonojë sepse janë procedura ligjore, por unë jam e sigurtë që do fitoj dhe këmbëngul dhe vazhdojë e them dhe përpara atyre.

Në lidhje me raastin e mjekes, e ftuar në studio ka qenë Eneida Sema, profesoreshë e mardhënieve të punës në Fakultetin e Drejtësisë. Lektorja ka treguar me detaje se çfarë nuk shkon në Kodin e Punës?

Anila Hoxha: Jemi me zonjën Eneida Sema, lektore  prej vitesh në fakultetin e Drejtësisë, Universiteti  i Tiranës, në lëndën  “marrëdhënien e punës dhe për kontratat e marrëdhënies së punës”. Sa i mbrojtur është punëmarrësi me kontratën e punës, qoftë ai me status të nëpunësit civil apo të çfarëdo lloj kategorie tjetër? 

Eneida Sema: Përshëndetje. Mbrojtja që i garantohet punëmarrësit bëhet që në fillesat e marrëdhënies së punës, që në rekrutimin e punëmarrësve, në vazhdimësi në një marrëdhënie pune dhe në ndryshimin dhe përfundimin e marrëdhënieve të punës. Dhe duke qenë se praktika shqiptare është jashtëzakonisht e mbushur me çështje të largimit nga puna, ato kanë qenë më në fokus, në fakt. Legjislacioni i punës ka nevojë për përmirësim dhe për saktësim në këtë drejtim. Ka raste kur punëmarrësi mund të arrestohet dhe më pas gjykata në një vendim përfundimtar të japë pafajësi për këtë. Ndërkohë, që nuk kemi një dispozitë që të garantojë rikuperimin e të gjithave pasojave fillimisht për vendin e punës dhe atyre financiare. Ne e dimë që kemi ligjin për statusin e nëpunësit civil ku përfshihen subjektet e posaçme dhe sigurisht që këto subjekte i referohen këtë ligji dhe gjykata po kështu në rastin e zgjidhjes së konflikteve dhe shqyrtimit të rasteve për të dalë në një vendim përkatës. Ndërkohë që subjektet e tjera, marrëdhënia e punës e tyre do të rregullohet nga Kodi i Punës.

Anila Hoxha: Një punonjës me status të nëpunësit civil a është më i garantuar? Apo edhe ai është gati-gati i ekspozuar për sa kohë ligji parashikon vlerësimin e tij me notën 4 (katër) dhe më pas, nëse merr 2 katra, ata e dërgojnë në gjykatë. Nga ndryshon?

Eneida Sema: Unë nuk do të thoja që ka më shumë mbrojtje për një subjekt apo për një tjetër.

Anila Hoxha: Kemi sërish shifra të larta të personave të cilët largohen nga detyra  dhe befas gjenden me një kontratë të ndërprerë. Çfarë nuk shkon?

Eneida Sema: Mendoj që për punëmarrësit, në sektorin publik dhe atë shtetëror duhen ndërhyrje në ligj për të amenduar pikërisht mënyrën e ripozionimit te tyre apo rehabilitimit të tyre pas dhënies së drejtësisë nga gjykata.

Anila Hoxha: Kemi parë nga monitorimi i vendimeve gjyqësore se ka kryesisht 2 kategori verdiktesh. E para, të rikthehen në vendin e mëparshëm të detyrës që mbanin përpara largimit dhe e dyta janë dëmshpërblyer me disa paga, por nuk janë kthyer në vendin e punës.

Eneida Sema: Është zgjedhja e tyre. Pagat përgjithësisht kanë të bëjnë, pra dëmshpërblimi, ka të bëj më shkakun e largimit ndërkohë që kemi edhe dëmshpërblime të tjera që mund ti shtohen dëmshpërblimit që ka lidhje me shkakun. Kodi i Punës, për subjektin e rregullimit të tij parashikon dëmshpërblim në rastin kur nuk respektohet procedura për largimin nga puna. Është detyrim për punëdhënësit, barra e provës gjithashtu përgjatë zhvillimit të një procesi gjyqësor i takon punëdhënësit. Ndërkohë që kemi edhe afatin e njoftimit tek zgjidhja e kontratave pa afat.

Anila Hoxha: Dhe më tej është kategoria e atyre nëpunësve, atyre punonjësve të shërbimit civil për të cilën gjykata shprehet se duhet të kthehen në vendin e mëparshëm të punës që mbanin. Në shumë raste, kjo situatë vazhdon të jetë e pazgjidhur. Pra, këta individë nuk kthehen në  vendin e punës, teksa ndërkohë nga buxheti i shtetit ata paguhen sikut të ishin në vendin e punës dhe gati-gati krijohet ideja sikur është një administratë paralele. Nga njëra anë, ajo administrata le të themi që vijon të kryejë detyrat, të shkojë në punë, të paguhet dhe nga ana tjetër individë-qytetarët që kanë fituar të drejtën për t’u kthyer në postin që mbanin. Por kjo gjë nuk është e zbatueshme në praktikë. A ka zgjidhje kjo situatë?

Eneida Sema:  Është e vërtetë që mundësitë e rikthimit zvogëlohen me  kalimin e kohës që ka të bëj me rikthimin e tyre. Ata zëvëndësohen në vendin e tyre dhe bëhet e vështirë që të gjendet një pozicion punë i përafërt me atë që ishte më parë. Unë mendoj që ligji duhet të ndryshojë në këtë drejtim.

Anila Hoxha: Në çfarë aspekti? Çfarë duhet korigjuar?

Eneida Sema: Mendoj që lidhur me këto raste të kemi ngritjen e një grupi ekspertësh, që të shikojë të gjitha mundësitë, për të konsideruar këtë lloj problematike dhe sidomos duke konsideruar kohëzgjatjen e rikthimit dhe përcaktimit më të saktë të pozicioneve, në të cilat ata duhet të rikthehen dhe mënyrës së rikthimit. Pasi është kosto financiare për buxhetin e shtetit. Por, një zgjidhje që të ofrojë një alternativë më të shpejtë, më të shpejtë për rehabilitimin e tyre.

Anila Hoxha: Kemi vërejtur nje fenomen tjetër. Të padive që kundërshtojnë vlerësimet, vlerësimin e parë nga eprori. Po flas për vlerësimin e pamjaftueshëm në punë që deri diku janë paralajmërim se punonjësi është duke u larguar. Pra, po përgatitet dosja e tij për ti treguar derën nga duhet të dalë dhe si ta humbas punën, por në një mënyrë diplomatike. Por, në fakt aspak diplomatike për punonjësin që e humbet këtë vend pune. Ka diçka që nuk shkon në këtë aspekt? 

Eneida Sema: Një vendim vlerësimi do të ishte i vështirë për t’u kontestuar kur ai është i bazuar në një analizë të elementëve dhe objektiv.

Anila Hoxha: Nga ana tjetër kemi vërejtur dhe kryesisht ky konkluzion bazuar në periudhat kohore kur dorëzohen paditë në gjykata, për humbjen e vendit të punës. Ne kemi kuptuar psh. që fluksi më i madh i padive është sa herë ndryshojnë qeveritë.

Eneida Sema: Mendoj se në këto raste kemi të bëjmë me largime nga puna, të bazuara në bindjet politike që është një nga shkaqet diskriminuese, përderisa ndodhin në periudha të tilla. Mendoj, se nëse rekrutimet e punëmarrësve do të bëhen mbi baza paanshmërie kjo do të jetë dicka pozitive, jo vetëm për produktivitetin në punë, për të patur efiçencë në çdo lloj marrëdhënieje pune, por edhe për largimet nga puna sepse punëdhënësi do ta ketë më të vështirë që të largojë një të punësuar, që është punësuar jo për arsye politike.

Anila Hoxha: Si mund të realizohet kjo?

Eneida Sema: Do të thoja që edhe në aspektin e largimeve nga puna në tërësinë e vet është i plotë. Ka nevojë për përmirësim. Gjithmonë ka nevojë për përmirësim. Pse jo edhe thelbësor?! Të përshtatura me nevojat që ka realiteti shqiptar, por  lidhur me pyetjen  do të thoja që problemi qëndron më së shumti tek zbatimi. Dhe tek paanshmëria, objektiviteti që duhet të demostrohet, të tregohet që në fazën fillestare të punësimit. Nëse punësimet bëhen me baza partiake rrjedhimisht edhe do të kemi përvec mungesës së efiçencës dhe produktivitetit në punë, do të kemi edhe largime po të tilla. Mendoj që është koha që edhe shoqëria shqiptare të ndryshojë mendësinë e saj. Dhe një punëdhënës në momentin e largimit në sektorin privat do ta ketë të pamundur sepse shikon interesin e tij në rezultatin e shërbimit që merr. Ndërkohë në sektorin publik do ta ketë shumë të vështirë sepse vetë shoqëria shikon cilësinë e shërbimit që është në nivele të larta. Por, në një kohë kur shoqëria është e pakënaqur nga cilësia e shërbimit një punëdhënës e ka më të lehtë të shkelë ligjin.

Anila Hoxha: Ju falenderoj zonja Sema.

Me ratifikimet përkatëse Shqipëria ka marrë përsipër detyrimin për të miratuar rregulla dhe politika që garantojnë të drejtën për mos diskriminim në punësim dhe profesion, duke marrë prasysh instrumentet e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, përfshirë Konventën për Shpërblimin e Barabartë  dhe Konventën për Diskriminimin (Punësimi dhe Profesionet). Por ka ende për të bërë, një ndër respektimi i vendimit të gjykatave kur urdhëron rikthimin në detyrë të nëpunësve të shërbimit civil në pozicionin e mëparshëm që kanë mbajtur. Nuk ka një shifër se sa është numri i shtetasve që vijojnë të paguhen nga buxheti i shtetit njëlloj sikur janë në detyrë në një kohë që vendi i punës së tyre është suprimuar. Diçka e tillë ka sjellë deri diku një administratë paralele e cila paguhet por nuk shkon në punë. Pikërisht për shkeljet që u bënë gjatë largimit të tyre nga detyra. Bashkë takohemi të shtunën e fundit të muajit tjetër, në datë 25 maj.

*Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.