Aktualitet Fol

“Fol me Anila Hoxhën”, gazetarja flet për podcast-in e ri dhe rikthimin në radio: “Do të zbulohen çështje shumë të mëdha…”

Gazetarja e njohur, Anila Hoxha, ishte mëngjesin e sotëm e ftuar në studion e emisionit “Wake Up” për të folur për rikthimin e saj në radio. Ajo do të sjellë investigime të ndryshme në formën e një podkasti, “Fol me Anila Hoxhën”, dhe do të nisë këtë të shtunë në orën 18:00, në Top Albana Radio.

Do të jenë 12 tema që përfaqësojnë fenomenet më të rëndësishme dhe që kanë epiqendër qytetarin që është përballë dhe nga ana tjetër do të kenë gjithashtu të ftuar, në çdo episod do të kemi një gjyqtar që flet për tërësinë, do të ketë investigim. Përveç kësaj, rrëfime reale të personazheve dhe protagonistëve realë që tregojnë të gjithë përballjet, betejën që humbën apo betejën që fituan. Do të jetë gati-gati simboli i këtij fenomeni. Për shembull, në një nga podkastet ne kemi se si ndryshon jeta e një qytetari për shkak të një aksidenti automobilistik. Personazhi që flet është një shtetas, i cili për shkak të shkeljes të rregullave të qarkullimit rrugor dhe një pakujdesie të kësaj që themi të gjithë ‘nuk ka problem se po qarkullojmë me nxitim, po një moment është ky’, i ka ndryshuar e gjithë jeta e tij. Janë personazhe realë që flasin.

Anila tregoi madje se në episodin e parë do të kenë historinë rrëqethëse të një gruaja që ka pasur një atentat dhe ka shpëtuar vetëm se arma e vrasësit nuk ka shkrepur, ka pësuar defekt.

Në episodin e parë që nis këtë javë, ne kemi historinë e një shtetaseje që përfaqëson të gjithë luftën e çdokujt që përplaset, lufton, përballet me gjykatën, përballet me këdo për të drejtën e pronës. E më besoni ka një histori rrëqethëse, ka një histori që në fund mendon si ia ka dalë mbanë, si ka duruar, si nuk është trembur dhe si vazhdon akoma? Gruaja që ne do ju sjellim dhe do preferoja të mos e zbuloja, është një grua e cila për shkaqe sigurie, familja i ka vendosur kamera sigurie në banesë, për shkak të frikës të atentateve. Ndaj saj ka pasur një atentat dhe kur ajo na e rrëfen momentin se si vrasësit hyjnë në shtëpinë e saj dhe i drejtojnë armën dhe ka shpëtuar vetëm për shkaqe të mbinatyrshme. Arma e vrasësit nuk u shkrep, pëson defekt. Ka një histori shumë të madhe. 

Gjithashtu ajo foli edhe për rikthimin e saj në radio, aty ku e ka nisur gazetarinë në vitin 1999.

Për mua është një rikthim në radio. Unë e kam nisur gazetarinë në 1999 në radio dhe kam trajtuar një ndërthurje midis problemeve më të forta sociale dhe i thyenim të gjithë këtë pjesën e hidhur me letërsi. Për mua është një rikthim dhe unë eci me parimin se qytetarët dhe kushdo sikur janë më të çlirët dhe nuk impostohen nga prezenca e kamerës. Ke një rrëfim goxha të drejtpërdrejtë dhe është më i sinqertë. Veç kësaj, ky është një projekt që mbështetet nga Ambasada Amerikane dhe implementohet përmes qendrës Folk dhe Top Albania Radio, i cili do të zgjasë për 1 vit.