Aktualitet Fol

Gjyqet e dëmshpërblimeve, barrierat që krijon ligji dhe risku i abuzimeve sipas avokatit Dorian Matlija!

Në episodin e katërt të podcastit “Fol me Anila Hoxhën” në Top Albania Radio fokusi ka qenë tek të dhënat investigative mbi ngërçin e padive të dëmeve ku kryesojnë si me të paditurit IKMT, OSHEE, Policia, dhe Autoriteti Rrugor. Janë përfshirë gjithashtu edhe rrëfime të familjeve që ngritën padi, rrëfimi personal të një gjyqtari të lartë që veç historisë familjare tregon se ligji parashikon që shtetasit shqiptarë mund të ngrenë padi dëmshpërblimi edhe për tejzgjatje gjykimi si dhe ndaj zyrtarëve që dënohen për korrupsion.

Për gjyqet e dëmshpërblimeve, vështirësia e parë është tejzgjagjtja e proceseve njëherazi po shkakton dëm tek qytetarët. Të gjithë atyre që janë të bindur se shteti ka gabuar diku me ta, nga një urdhër i paligjshëm, një veprim arbitrar i nëpunësve, i policisë, se pushteti lokal, apo çdo shërbim tjetër ka sjellë një dëm nëse hapin një proces civil apo administrativ dëmshpërblimi duhet të paguajnë një tarifë. Sipas ligjit tarifa është 1 përqind e vlerës financiare të kërkuar gjyqësisht që duhet të parapaguhet. Edhe ekspertët që kërkohen në gjyq paguhen nga paditësi. Në këtë pikë një nga avokatët që ka shtruar dhjetra çështje të tilla me palë të akuzuar institucionet, Dorjan Matlija është i shqetësuar për barrierat që krijon ligji ndaj shtetasve që në vështirësi ekonomike janë të pamundur ta paguajnë këtë tarifë. E dyta lidhet me riskun e abuzimeve.

Pjesë e shkëputur nga podcasti “Fol me Anila Hoxhën”:

Dorian Matlija: Një nga gjërat që ka filluar të vihet re në treg,  që po ndodh është që përsa kohë individët nuk kanë mundësinë të paguajnë këto kosto, janë avokatët që i marrin përsipër këto kosto, por ama vendosin tarifa më të larta të tarifës së suksesit.

Anila Hoxha: Ky është monopol?

Dorian Matlija: Dmth është avokati që i ka paratë dhe i jep mundësi avokatit që të përfitojë më shumë në fund të procesit. Është tjetër gjë, në qoftë se personi parapaguan vetë kostot, ai sigurisht bën një marrëveshje me tarifë më të ulët me avokatin, kurse kur nuk ka para është i detyruar të bëj një marrëveshje me tarifë më të lartë ç’ka i jep avokatit mundësi të spekulojë, në rastin konkret. Pra shteti përmes mosdhënies së këtij mekanizmi funksional për t’u përjashtuar nga këto detyrime i jep mundësi disa avokatëve që të spekulojnë me këtë situatë.

Anila Hoxha: Si aplikohet kjo marrëveshje midis dy palëve?

Dorian Matlija: Është kontratë. Që në fund të gjykimit do të japi një përqindje të caktuar avokatit. Ka përqindje që variojnë. Kur janë kostot e hequra nga vetë klienti, patjetër që përqindja e avokatit është më e ulët. Por kur kostot i heq avokati, përqindja është më e lartë.

Anila Hoxha: Nuk ngre kjo situatë një pikëpyetje mbi aksesin në drejtësi të njëjtë dhe të barabartë për të gjithë?

Dorian Matlija: Po, kjo ngre pikëpyetje sepse siç e thashë kur është çështje me zgjedhje e vet klientit nuk ka asnjë lloj problem të aksesit në gjykatë. Por kur është në pamundësi klienti këtu kemi një problem të madh të aksesit në gjykatë dhe për këtë ka patur një mori të tërë çështjesh në Gjykatën Evropiane Të të Drejtave të Njeriut, që Shqipëria pavarësisht se ka bërë ca avancime në këtë fushë përsëri nuk i ka zgjidhur të gjitha problemet dhe jemi në një situatë që ende ka ngërc. Flasim që këto procese gjyqësore zgjasin në kohërat e tanishme edhe mbi 10 vjet dhe kjo është një problem shumë i madh. Pastaj kemi problemin e ekzekutimit të vendimit të gjykatës, mbasi ka marrë fund procesi në vetvete. Edhe në këto raste ka vonesa të gjata të ekzekutimit, sepse përsëri futet në lojë përmbaruesi por herë pas herë ka kundërshtime të veprimeve të përmbaruesit që prapë futet gjykata në lojë, që prapë gjykata e vonon shumën e kështu me radhë. Këto probleme janë përvecse se janë fakte, në disa raste nuk ekzekutohen fare. Unë di raste që kanë mbetur të pa ekzektuara prej më shumë se 10 vjetësh, po ashtu kemi edhe raste të tjera kur ekzekutohet mbas një kohe shumë të gjatë, kuptojmë që ka humbur edhe vlerën e vet, paraja në fjalë.

Anila Hoxha: Institucionet në fjalë, Avokatura e Shtetit, Ministria e Financave, kanë rol?

Dorian Matlija: Ato kanë rol gjithsesi, Ministria e Financave ka një rol sepse kur janë pagesat që do bëhen nga Thesari i Shtetit shpeshherë ato ushtrojnë, le të themi atë  diskrecionin për të mos e  urdhëruar pagesën, ç’ka bën që edhe këtu të kemi një vonesë. Do sjell shembullin e dy kompozitorëve shumë të njohur Aleksandër Peci dhe Diana Toce/Ziu. Të dy këta persona në vitin 2013 do paguheshin për dy simfoni që i kishin dhënë shtetit shqiptar nga Ministria e Kulturës dhe kanë arritur të paguhen në vitin 2023. Një pjesë në vitin 2024. Tani në janar, pjesën tjetër, me një gjyq që ka zgjatur shumë por edhe vetë ekzekutimi nga Ministria e Kulturës ka zgjatur shumë, dy vjet e ca që ministria të lëshonte urdhërin për pagesë.

Në Gjykatën e Lartë presin për tu gjykuar 885 çështje të tilla ku qytetari është përballë ministrive të ndryshme që nga ajo e Brendshme deri tek e Shëndetësisë, OSHEE, policinë, autoritetin rrugor, Bashkitë dhe IKM, kjo e fundit ndër më institucionet më të akuzuar për shkaktim dëmi nga aksionet për ndërtimet pa leje.