Celebrities Film & Tv Showbiz

Këshillat e Eddie Murphy gjatë “Golden Globes 2023” janë bërë mjaft virale për një arsye shumë të fortë!

Edicioni i 80-të i ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Golden Globes 2023” u transmetua të martën në NBC. Jerrod Carmichael ka qenë moderatori i mbrëmjes, ndërsa eventi është mbajtur në ‘The Beverly Hilton’ në Beverly Hills, Kaliforni. Ishte një rikthim në rëndësi për eventin e madh të “Golden Globes”, duke mbajtur ceremoninë e tyre të parë të ndarjes së çmimeve që nga anulimi i edicionit të vitit 2022, edhe pse pati një numër mungesash të yjeve kryesorë.

Një nga momentet më emocionuese ishte çmimi “Cecil B. DeMille”, si një nderim për karrierën e aktorit Eddie Murphy. Ylli ikonë i filmave si “The Nutty Professor” dhe “Dr. Dolittle” tërhoqi vëmendjen veçanërisht për fjalimin e tij në lidhje me shuplakën e Will Smith ndaj Chris Rock në “Oscars 2022”.

Sipas fjalëve të tij pas marrjes së çmimit, ai nuk hezitoi të ndajë me publikun atë që ai e përcaktoi si “planin e tij përfundimtar për të arritur sukses, prosperitet, jetëgjatësi dhe paqe shpirtërore”. Sipas Eddie Murphy, kjo përbëhet nga tre hapa të thjeshtë që ai thotë se i ka ndjekur gjatë gjithë karrierës së tij.

Paguani taksat, kujdesuni për punët tuaja dhe hiqni nga goja emrin e gruas së Will Smith!

Një frazë që i bëri të gjithë të qeshnin dhe u bë shpejt virale në mediat sociale. Komentet e tij kur iu referuan ngjarjes së famshme gjatë ndarjes së çmimeve në “Oscars 2022” kur Will Smith u çua dhe goditi me shuplakë Chris Rock dhe i kërkoi që të mos e përmendte më emrin e gruas së tij, Jada Pinkett. Kujtojmë që pasi Chris bëri disa referenca për artistë të tjerë si Javier Bardem apo Penelope Cruz, komediani e krahasoi gruan e Smith me toger O’Neil dhe prerjen e saj karakteristike të flokëve.