Bota

Kievi: Bjellorusia, peng bërthamor i Rusisë!

Ushtria ukrainase rikonfirmon se ofensivat ruse janë përqendruar në Bahmut e në disa pjesë të tjera në lindje të Ukrainës. Kjo deklaratë vjen pasi Moska njoftoi planet për të dislokuar armë bërthamore taktike në Bjellorusinë fqinje, ndërsa presidenti ukrainas mirëpriti ndihmën e fundit të ofruar nga komuniteti ndërkombëtar.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës informon:

Forcat tona po vazhdojnë të mbajnë pozicionet në Bahmut. Sulmet e Moskës po vazhdojnë në Liman, Marinka e Avdivivka në Donjeck.

Më herët gjatë kësaj jave, një komandant i lartë ukrainas tha se situata në Bahmut është duke u “stabilizuar”.

Po ashtu, trupat e Kievit po ndërmarrin “veprime mbrojtëse” në zonat përreth Hersonit e Zaporizhjës, ku bombardimet pranë centralit bërthamor të Zaporizhjës që është nën kontrollin rus, po rrisin shqetësimet.

Dy ditë më parë, autoritetet në qytetin e Hersonit u bënë thirrje banorëve që gjenden pranë lumit Dnjepër, të largohen për “në zona të sigurta”. Në qytetin Berdiansk, në Zaporizhja, rusët lëshuan një dekret duke detyruar banorët të marrin leje për të lëvizur në zonë. Për të marrë këto leje, duhet t’i nënshtrohen kontrolleve.

Forcat ruse dhe aleatët e tyre separatistë kanë kryer operacione “filtruese” në shkallë të gjerë, duke kontrolluar civilët në territoret e pushtuara që kur nisi pushtimi, në shkurt të vitit 2022.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës pretendon se rusët kanë humbur 170 mijë vetë që kur filloi pushtimi. Por, nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur pretendimet e secilës palë për të rënët në fushëbetejë.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore bën të ditur se javën e ardhshme, drejtori i Përgjithshëm, Rafael Grossi do të zhvillojë të dytën vizitë në centralin e pushtuar bërthamor të Zaporizhjës.

Pasi Kremlini njoftoi se do të dislokojë armë bërthamore taktike në Bjellorusi, sekretari i Këshillit Kombëtar për Sigurinë dhe Mbrojtjen e Ukrainës, Oleksiy Danilov, tha se Minsku është “peng” i Moskës. Putin pretendon se nuk ka “asgjë të pazakontë” lidhur me dislokimin e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi dhe se ky vendim, sipas tij, “nuk shkel traktatet ekzistuese bërthamore”.