Tech

Kontrollimi i pajisjes teknologjike pa duar, Google zgjeron projektin Gameface!

Google ka zgjeruar projektin Gameface që synon t’i bëjë pajisjet teknologjike më të qasshme. Projekti u prezantua për herë të parë gjatë konferencës Google I/O të vitit 2023 dhe kishte për qëllim t’u mundësonte njerëzve ta kontrollonin pajisjen e tyre pa duar vetëm me lëvizje të kokës dhe shprehje të fytyrës.

Siç raportojnë mediat e huaja, ky projekt është krijuar kryesisht për njerëzit me aftësi të kufizuara për t’ua lehtësuar përdorimin e pajisjeve teknologjike. Bëhet e ditur se përmes kamerës së pajisjes, projekti gjurmon shprehjet e fytyrës, lëvizjet e kokës dhe i përkthen ato në veprime. Për realizimin e tij, gjiganti teknologjik ka bashkëpunuar me organizatën indiane Incluzza.

Ai njeh 52 mimika të fytyrës duke përfshirë ngritjen e vetullave, hapjen e gojës, lëvizjen e buzëve dhe më shumë. Këto lëvizje mund të përdoren për të kontrolluar një gamë të gjerë funksionesh në Android. Edhe Apple së fundmi ka prezantuar një veçori të re që përdor sytë për të kontrolluar iPhone. Sisteme të tjera të inteligjencës artificiale janë shfaqur nga Google.

Në një demonstrim të fundit, një prototip i asistentit me AI që funksiononte në një telefon, ishte në gjendje t’i përgjigjej pyetjes së vjetër “ku i vendosa syzet”. Ai vjen një ditë pasi rivali OpenAI lançoi sistemin e tij më të fundit të AI, GPT-4o, i cili përfshinte një prezantim tërheqës në të cilin lexonte shprehjet njerëzore përmes një kamere telefoni dhe komunikonte rrjedhshëm. Me këtë, Google duket i prirur të theksojë se mjetet e tij janë po aq të afta për këtë lloj të ashtuquajturi të kuptuarit “multimodal” sa edhe rivali i tij.