Sociale

Krifca dhe kryebashkiaku i Beratit në Kalabri: Vendi ku duhet të lindë brandi i parë italo-shqiptar

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca po zhvillon një vizitë zyrtare pune në Itali, në rajonin e Kalabrisë, në zonën arbëreshe.

Me ministren Krifca ndodhet kryetari i Bashkisë Berat, Ervin Demo, disa nga prodhuesit e verës shqiptare, të bujtinave dhe agroturizmave si dhe përfaqësues të prodhimit të vajit të ullirit dhe prodhimeve të tjera, të cilët jo vetëm do të prezantojnë punën e tyre, por dhe lidhin kontrata me partnerët italianë.

Ministrja mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë “Rikthim në bujqësi, inovacion dhe south working, revolucioni digjital dhe zhvillimi kompetitiv i Mesdheut identitar dhe të dallueshëm.”

Në fjalën e saj ministrja Krifca vlerësoi partneritetin tregtar me shtetin Italian, në kuadër të së cilit eksportet e vajit të ullirit në pesë muajt e parë të këtij vitit shënuan rritje të ndjeshme.

“Në Itali, në pesë muajt e fundit kemi eksportuar pesë herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Krahas vajit të ullirit eksportojmë verë, domate, perime, peshk, fruta, ujë mineral etj. Para disa vitesh ne eksportonim vetëm pak më shumë se 100 milionë euro mallra bujqësore. Vitin e kaluar kemi eksportuar 500 milionë euro dhe jemi në rrugën e duhur për të thyer barrierën e eksporteve bujqësore prej 1 miliard eurosh në disa vite të tjera”, theksoi Krifca.

Ministrja Krifca u ndal dhe në krijimin e një brandi të përbashkët italo-shqiptar në fushën e verës, vajit të ullirit apo produkteve të tjera ushqimore. Sipas ministres Krifca, zonat me komunitet arbereshe janë zonat e duhura nga do të nisin këto investime të përbashkëta.

Në fund të fjalës së saj ministrja Krifca preku dhe temën e rëndësishme të sigurisë ushqimore:

“Ajo që duam është ekselenca dhe njohuritë që e kanë bërë Italinë një lider botëror në industrinë ushqimore, të implemtohen edhe në Shqipëri.”

I pranishëm në takim, kryetari Bashkisë Berat, Ervin Demo, deklaroi se në festivalin e ardhshëm të verës në Berat, në muajin tetor do të organizohen për herë të parë ditët arbereshe. Në këtë organizim të gjithë pjesëmarrësit do të mund të njihen me prodhimet arbëreshe të zonës së Calabrise dhe Basilicates.