Bota Botë e Çuditshme Tech

Ky vend krijon satelitin e parë prej druri!

Disa studiues nga Universiteti i Kiotos në Japoni njoftuan se kanë krijuar mikrosatelitin e parë prej druri në botë. I ngjashëm me një kub me përmasa vetëm 10 centimetra sateliti, ka një strukturë të bërë nga panele me dru manjole dhe pritet të dërgohet në hapësirë në muajin shtator nga Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet një rakete të kompanisë SpaceX.

Sateliti i quajtur “LignoSat”, është rezultat i një pune kërkimore dhe montimit që zgjati rreth katër vjet, të cilës iu përkushtuan studiues nga Universiteti i Kiotos dhe kompania Sumitomo Forestry Co. Synimi i tij është për të parë mundësinë e përdorimit të drurit si një material eko të qëndrueshëm dhe me kosto të ulët në kontekstin e zhvillimit hapësinor.

Rregullat aktuale ndërkombëtare urdhërojnë që satelitët të rihyjnë në atmosferë pas misioneve të tyre për të shmangur që ata të bëhen mbeturina hapësinore. Satelitët konvencionalë paraqesin rreziqe të ndotjes së ajrit për shkak të grimcave metalike të krijuara gjatë rihyrjes. Satelitët prej druri, të cilët digjen pas rihyrjes, pritet të zbusin këtë efekt.

“Zgjerimi i potencialit të drurit si një burim i qëndrueshëm është i rëndësishëm,”-tha profesori i Universitetit të Kiotos dhe astronauti Takao Doi. “Ne synojmë të ndërtojmë habitate njerëzore duke përdorur dru në hapësirë, si në Hënë dhe Mars, në të ardhmen.” Në gjashtë muajt pas lëshimit, do të mblidhen të dhëna për zgjerimin dhe tkurrjen e drurit, temperaturën e brendshme, gjeomagnetizmin dhe performancën e pajisjeve elektronike.

Këto të dhëna, të marra nga stacioni i komunikimiti Universitetit të Kiotos, do të informojnë zhvillimin e një sateliti të dytë, LignoSat-2. Sumitomo Forestry do të studiojë gjithashtu rezultatet për të kuptuar se si druri shpërbëhet në nivel nano, me synimin për të zhvilluar teknologjinë për të parandaluar degradimin e drurit dhe për të krijuar përdorime të reja për drurin, duke përfshirë materiale shumë të qëndrueshme për ndërtesat e jashtme.