Celebrities Magazine Sport S’e Kam me Ty

Luiza Gega tregon ekskluzivisht në “S’e Kam me Ty” sakrificat e stërvitjes intensive në Kenia!

E ftuar në pjesën e dytë të emisionit “S’e Kam me Ty” ka qenë atletja që na bën krenare sado herë që përmendet emri i saj, Luiza Gega. Së fundmi, Shqipëria ka marrë pjesë me 9 sportistë në Kampionatin Ballkanik të Atletikës në Salla të Mbyllura, që u mbajt të shtunën Turqi, duke fituar dy medalje të arta dhe dy të bronzta. Kështu, të dy medaljet e arta janë fituar nga e përhershmja Luiza Gega, e cila është rikonfirmuar si më e mira e Ballkanit në disiplinën e 1,500 dhe 3,000 m. Kështu, në garën e 1,500 m, Gega ka mbërritur e para në finish me kohën 4 minuta, 15 sekonda e 84 të qindtat, mbi dy sekonda më shpejt sesa ndjekësja më e afërt, Subatan Burxhu e Turqisë dhe thuajse 4 sekonda më shpejt se Koraini Kiriakopulu e Greqisë, që plotësoi podiumin.

Duke qenë se ajo ka thyer qindra rekorde kombëtare dhe jo vetëm, Luiza ka ndarë me dëgjuesit se si përgatitet për garat e saj si një sportiste e distancave të largëta.

Kishim dëgjuar për Kenian që sportistët e distancave, kryesisht në periudhën e dimrit, shkojnë e stërviten atje, por nuk kishim informacion. Sepse në Kenia nuk është si të stërvitesh në Tiranë. Është 2400 metra lartësi ai vendi dhe ka mungesë oksigjeni. Pra është jo pak, por ka një vështirësi shumë të madhe. Të djegin mushkëritë. Kur shkova atje, kërkoja të realizoja këto kohët që duhet të arrija, por pashë që ishte totalisht gjë tjetër. Në botë nuk e arrija dot. Aty ke mundësi të bisedosh edhe me trajnerë të huaj e mund të lidhësh kontakte. Aty pashë që edhe sportistë nga vende të zhvilluara si Gjermania, Franca, Italia, Anglia, etj. në fund të ditës lodheshin të gjithë shumë. Unë mendoja që ata mbërrijnë aty sepse kanë një mbështetje nga vendet e tyre, por sigurisht kjo është një ndihmë shumë e madhe. Por në fund të ditës ne bëjmë një sport individual. Në fund të ditës është personi ai që duhet të lodhet për t’ja dalë. Shikoja që shtriheshin në tokë nga lodhja kur mbaronin ato segmentet dhe thoja që nuk jam qenkëm e vetmja. Ti fillon e motivohesh dhe ndryshon konceptin. Të gjithë në fund të ditës duhet të lodhemi për të arritur ato rezultate.