Bota Botë e Çuditshme

Mirëmbajtja e anijeve të ankoruara në Siberi në -50°C, puna më e vështirë në botë!

Në Siberi, temperaturat zbresin në -50 gradë Celsius dhe këtu ka njerëz që duke sfiduar kushtet atmosferike si Mikhails Klus, detyrohen të punojnë në procese jetike të punës. Mirëmbajtja e anijeve të ankoruara është konsideruar si ndër punët më të vështira, sidomos gjatë dimrit të ashpër Siberian. Procesi i “vymorozka”, i cili mund të njihet ndryshe edhe si procesi i ngrirjes, është një punë e mundimshme dhe e lodhshme dhe kërkon javë të tëra për t’u realizuar. Punëtorët heqin akullin që mbështjell anijet, duke kontrolluar nëse ai ka shkaktuar probleme te këto mjete transporti.

Anijet e ankoruara në portin e Yakutsk në brigjet e lumit Lena, janë ndër burimet kryesore të ekonomisë së Siberisë. Vendasit megjithëse e konsiderojnë si ndër punët më të vështira për shkak të motit, thonë se gjithçka varet nga mënyra si organizon dhe menaxhon detyrën që të është caktuar.

Kjo punë kërkon jo vetëm qëndrueshmëri dhe forcë, por edhe saktësi ekstreme. Punëtorët duhet të sigurohen që të mos e presin akullin shumë shpejt dhe të mos depërtojnë në ujin poshtë. Sa më i ftohtë të jetë moti, aq më mirë ngrin akulli dhe aq më e qetë është puna, megjithatë, këto temperature ekstreme, nuk janë aq të lehta për të gjithë punëtorët.