Art & Kulturë Celebrities Film & Tv

“Mother Of The Bride” është materializimi i shprehjes ‘kur s’ke pulën do hash sorrën’. Kritikë.

Janë disa ditë në jetë kur nuk ke nerva për asgjë, si pasojë mbase e pandemisë, ke një lloj nostalgjie toksike kur me orë të tëra kridheshim në Tik Tok thjesht dhe vetëm për të vrarë orët që dukeshin sikur nuk mbaronin kurrë. E kur Tik Tok-u ka filluar të të duket përsëritës deri në sfilitje, i kthen sytë nga diçka tjetër, një film idiot. E di që është një film idiot sepse shikon trailerin, por e ke ndarë mendjen që do të shohësh një film idiot. Dhe kjo jo sepse je cinik, por sepse ke kaluar një ditë të ngarkuar dhe një pizzë edhe pse të bën keq, të shijon më shumë se një sallatë jeshile.

Natyrisht, Netflix-i ka shumë komedi, shumica prej të cilave shihen kur je duke hekurosur a duke larë enët, si sfond, por të krijohet një lloj besimi kur shikon që “Mother Of The Bride” ka për regjisor Mark Waters, ai i komedive hit si “Mean Girls” apo “Freaky Friday”. Papritmas je optimist. Optimizmi shtohet kur shikon se pjesë e aktorëve protagonistë janë Brooke Shields, Chad Michael Murray, Benjamin Bratt e të tjerë yje të adoleshencës tënde si edhe personazhe të përfolur të viteve të fundit si Miranda Cosgrove apo Rachel Harris (Sheila Sazs tek “Suits”). Një optimizëm që shkërmoqet shpejt kur kupton se ky është fiks filmi që prisje. Kalori Boshe.

E kështu pra, nisur nga rrethanat, me pritshmëri zero, ti e shikon filmin [ose bën sikur] për atë që është. Një grua e re propozohet për martesë nga i fejuari i saj i bukur dhe i palestruar, por ajo nuk ja ka thënë akoma mamasë së vé e cila është një përbindësh kontrolli dhe nuk i pëlqen aq spontaniteti i të bijës, aq më pak rruga që ka marrë në jetë; ajo është një influencerrr (pauzë për skandalizim). E në përpjekje për të bërë paqe me të bijën mamaja pranon që të shkojë në dasmën e saj e të mos ta shohë live në Instagramin e të bijës (po, dasma e kleringut (clearing – shkëmbimi mall me mall) është pa shenzime në këmbim të reklamës në insta… Aty takon për herë të parë dhëndrin dhe të babain e tij, që për koicidencë është i dashuri i saj i fakultetit,  një burrë që e deshi shumë por që u largua pa nam e nishan krejt papritur.

Vazhdimi është një buqetë skenash klishe, xhiruar në stilin e “Sex And The City” (filmit) me një skenar që është shkruar nga dikush që nuk ja ka patur fort ngenë.

Vizualisht filmi është mjaftueshëm eksitonjës (50 vjeçarë me barkun kurriz breshke, një Rachel Harris që të heq mallin e ‘Suits‘, por që nuk mjafton për jelek shpëtimi të filmit, si edhe pamje përrallore të plazheve të Tajlandës, të cilat janë të bukura vetëm në film, sepse kur i viziton, aq të populluara sa janë duken si memet e TikTok-ut,  Instagram vs. Reality), aktorët më me eksperiencë janë deri diku të ngrënshëm, më të rinjtë dhe jo aq. Kimia mes të gjithëve është thuajse jo-ekzistente. Për një komedi romantike, “Mother Of The Bride” ka pak nga komedia dhe aq më pak nga romanca.

Por kur s’ke pulën do hash sorrën, ama zgjedhjen bëjeni me vetëdije.

“Mother Of The Bride” është në Netflix.