Energjia bërthamore për shkak të asaj që ndodhi në Luftën e Dytë Botërore, më vonë në Luftën e Ftohtë, si edhe disa tragjedi si ajo e Çernobilit në fund-vitet 80′ është parë gjithmonë me një sy të dyshimtë nga publiku, disi i trembur nga pasojat e saj. Në këtë dokumentar, regjisori fitues i çmimit Oscar – Oliver Stone hedh dritë mbi të vërtetën në një përpjekje për të hapur mendjet e njerzve në lidhje me një përplasje e pastër interesash financiare, me atë që mund të jetë ilaçi më efikas në përpjekjen e vazhdueshme për të shpëtuar planetin nga Ngrohja Globale.
Sipas regjisorit Stone, energjia bërthamore është e pastër, e bollshme e mbi të gjitha e sigurt. Për të – dhe specialistët e intervistuar në dokumentar – nëse duam të zgjidhim krizën energjitike të së tashmes dhe së ardhmes duhet të kthejmë kokën nga impiantet nukleare pa paragjykimet e së shkuarës. Asnjë formë e gjenerimit të energjisë Green (që nuk krijon ndotje në atmosferë) shto këtu energjinë e përftuar nga era dhe dielli – nuk arrin të mbulojë kërkesat gjithmonë e në rritje për elektricitet.
Dekada të tëra kanë qënë të ndjekura nga frika ndaj çdo tog-fjalëshi që kish ‘bërthamore‘ brenda. Në vitet ’70 – ’80 shumë protesta masive ndodhën kundër çdo gjëje nukleare. Të shtyrë edhe nga konglomeratet e qymyrit dhe naftës, këto organizata përpunuan opinionin publik të mendonte se toksiciteti i lëshuar nga fabrikat bërthamore ishte vdekje-prurës.
Edhe pse Stone përpiqet të thotë se në fakt energjia bërthamore është më e pastra dhe më sigurta nga të gjitha është e vështirë të bindësh njerëzit mbas disa aksidenteve me famë globale, tre prej tyre – Three Mile Island, Çernobili, Fukushima. Mundësia e një dialogu racional për këtë temë është thuajse i pamundur. Aryseja sepse lidhja e shkurtër që krijohet në nëndërgjegjie mes katastrofës së armëve bërthamore që u hodhën në Japoni nga amerikanët (sjellë në vëmendje edhe nga filmi i Christopher Nolan këtë verë) tre çerek shekulli më parë, dhe impianteve të energjisë bërthamore është e pashmangshme. Edhe pse, në fakt, nuk pati asnjë vdekje në rastin e Three Mile Island, apo 50 të tilla në tragjedinë (që mund të ishte shmangur) në Chernobil, shumë më pak në krahasim me aksidentet nga makinat çdo vit për shembull, stigma që mbajnë reaktivët bërthamorë është e vështirë të kalohet.
“Nuclear Now” mundohet të hedhë dritë mbi ata që kjo stigmë i intereson. Oliver Stone nga SHBA-të shkon në Europe, Rusi dhe Azi për të kuptuar çfarë ndodh me sektorin jashtë kufijve të vendit të tij. Kështu në vende si Franca energjia bërthamore është përgjegjëse për 70% të nevojave energjitike të vendit. Të tjera vende po ecin me shpejtësi drejt mbulimit të nevojave në këtë sektor përmes kësaj mënyre. Edhe pse në SHBA kompanitë e lidhura me politikën lobojnë fort që fabrikat nukleare të energjisë të vihen në punë (shumë prej tyre janë mbyllur në fund vitet ’90 deri në fillim vitet ’00) shumica e amerikanëve, 60% e tyre janë pro energjisë bërthamore.
Para dhjetë vitesh, Robert Stone (pa lidhje farefisnore me Oliver Stone) dokumentarist i njohur, realizoi filmin “Pandora’s Promise” i shfaqur në Sundance Film Festival në 2013 fliste pikërisht për demonizimin e energjisë bërthamore dhe shitjes së shoqatave ambjentaliste tek kompanitë e përpunimit të qymyrit dhe gërmimit të naftës. Stone vazhdon ku atdashi i tij e la (“Nuclear Now” u shfaq vjet në Festivalin e Filmit në Venezia dhe pati shumë probleme në gjetjen e distributorëve, që të shkonte tek publiku), e në 87 minuta mbledh të gjitha mendimet e mbrapshta të 30 viteve duke i dhënë përgjigje shumicës së shqetësimeve që çdonjëri prej nesh mund të ketë.
Edhe pasi Oppenheimer realizoi bombën e parë atomike, në vitet 1950, presidenti amerikan i asaj kohe Dwight D. Eisenhower kishte plane konkrete për ndërtimin e fabrikave bërthamore që do të plotësonin kërkesat në rritje për energji në të gjitha amerikën. Plane të cilat u realizuan në një masë të madhe për t’u hedhur më pas në plehra mbas lobimit të të ashtuquajturave ‘Shtatë Motrat’ – shtatë kompanitë kryesore të Qymyrit, Naftës dhe Gazit natyror.
Në një botë ku perceptimi shtrembërohet vazhdimisht nga ata që kanë në kontroll median – mbase kjo është koha kur mediat jo tradicionale të ndryshojnë mendimin e njerzve dhe të normalizojnë një teknologji që faktet tregojnë se është ose do duhet të jetë rruga jonë për të ecur përpara nëse vërtet i duam të mirën shtëpisë sonë – Planetit ku jetojmë.
Shumëfishimi i kërkesave të njerëzimit për energji elektrike në dekadat që do të pasojnë e bën iminent ndryshimin e qasjes së ligj-bërësve karshi mënyrës se si kjo energji do të sigurohet. Kjo është thirrja e Stone, në filmin i cili duket si përgjigje e “An Inconvenient Truth”, dokumentarit që eskpozonte rreziqët e ngrohjes globale.
Ky është një dokumentar që meriton dhe duhet të shihet, jo vetëm sepse përballet me një nga temat më të vështira me të cilën po përballemi, jo vetëm sepse është realizuar nga një regjisor i niveleve më të larta për filmat e tij (“Nixon”, “Natural Born Killers”), por sepse ka një shtjellim të mrekullueshëm të temës, e cila do të tundë besimin e shumicës prej nesh që barazojnë nuklearen me vdekjen!.
“Nuclear Now” është e kundërta.