Film & Tv

“Sly” dhe shansi i humbur i Sylvester Stallone për të lënë një ‘testament’.

Nuk di të them me saktësi nëse ky është një dokumentar apo një vazhdim i Rocky-t. Kjo sepse Sylvester Stallone bëhet një me personazhin e filmave të tij, por edhe sepse regjisori i dokumentarit Thom Zimmy është absolutisht një fans.

96 minutat e dokumentarit sidoqoftë nuk mjaftojnë për të treguar historinë e kolosit të kinemasë amerikane, sepse siç kuptojmë qysh prej minutave të para jeta e skenaristit, aktorit, producentit dhe regjisorit ka kaluar nëpër aq koklavitje dhe qorrsokake sa ta mbledhësh në një copë të vetme pa u kthyer në një kronikë pasditeje (sipërfaqësore) është mision i pamundur, i ngjashëm me ato misione që heroi luante në filmat e tij legjendarë.

Thelbi humbet rrugës, për shkak se të treguarit të shumë ngjarjeve në mënyrë të ngjeshur, duke mos i dhënë peshën e merituar të gjithave

Zërat dhe fytyrat e dokumentarit veç protagonistit janë edhe vëllai tij Frank, bashkëpunëtori i gjatë John Herzfeld si edhe figura të mirënjohura të filmave aksion bashkëkohës të viteve të arta të Stallones si Arnold Schwarzenegger apo Quantin Tarantino. Pyetja që kërkon përgjigje është:

“Kush është, në fakt Sylsvester Stallone?”

Tashmë 77 vjeçar, artisti që është thyer, rrëzuar por edhe ngritur shpesh në filmat e tij tregon se thyerjet i ka patur jo të pakta në jetën mbas kamerave, qysh në kujtimet e tij më të hershme në New York. Stallone erdhi nga rruga, të gjithë i thanë jo, pa përjashtim. Por kjo thjesht sa e motivoi më shumë për t’u shndërruar në një skenarist, producent, regjisor dhe protagonist të veprave të tij që do të ishin binomi i pamundur i Hollywood-it, sukses në shitje biletash po aq sa vlerësim nga kritika.

Aktorin e gjejmë fillimisht në shtëpinë e tij në Malibu, e mbushur me kujtime nga karriera e gjatë. Përpara se fama t’i trokiste në derë për “Rocky” (1976) Stallone u rrit në rrugicat e ashpra të Hell’s Kitchen. Sly (kështu i thërrasin miqtë e afërt) riviziton edhe një herë vendin që edhe pse i ndryshuar shumë nga gjurmët e dekadave i sjell në kujtime fëmijërinë me dy prindër të cilët nuk ishin perfekt, përkundrazi. Babai i tij ishte ekstremisht i dhunshëm dhe shumë kritik ndaj pasioneve të tij, diçka që la shenja në jetën e aktorit për dakada me rradhë. (ka një fund të lumtur këtu, që do e kuptoni duke parë filmin, por si çdo gjë në jetën e Stallone-s është e-ëmbël-e-thartë).

Në fakt personazhet e filmave të tij edhe pse në dukje të pa-tundur, janë shumë të brishtë dhe kanë një nevojë për t’u plotësuar, njësoj si Sylvester në jetën përtej shkëlqimit. Sipas protragonistit Balboa dhe Rambo janë zgjatime të tij dhe të atit. I inkuadruar në mënyrë të tillë Stallone bie dakord me kufizimet e tij duke mos qënë më pishman për asnjë zgjedhje të së shkuarës, zgjedhje të cilat siç do e mësoni e bëjnë jetë e tij një tren të ndërkallur që ikën po aq shpejt sa për lart dhe për poshtë, si ato të parqeve të lojrave. Zgjedhjet e tij personale dhe profesionale nuk kanë qënë gjithmonë të duhurat duke e bërë heroin më të vërtetë dhe më të prekshëm. Në fund të ditës mbas ‘të pavdekshëmve’ të filmave të ekranit të madhe e të vogël qëndron gjithmonë një person ‘i zakonshëm’.

Dokumentari sidoqoftë tregon se nuk kishte asgjë të zakonshme në luftën e Stallone për t’ja dalë. Nuk kishte asgjë të zakonshme në kokëfortësinë e tij për të çuar krye edhe kur jeta e kishte pështyrë në fytyrë. Mbase kjo na dallon nga ata që ja dalin në jetë, jo faktori x, as fati, por këmbëngulja për të marrë atë që duam, atë që [modestisht] mendojmë se na takon pavarësisht çfarë.

Edhe pse në nëndërgjegjien publike Sylvester Stallone shihet gjithmonë i zvogëluar, ky dokumentar mundohet ta tregojë kontributin e tij jo vetëm në filmat e tij, por edhe më gjërë në lëmin e kinemasë, ose të paktën përpiqet ta bëjë këtë. Personalisht do kisha preferuar të njihja anën emocionale të heroit së cilës i iket shpesh me qëllimin për t’i ‘çuar lule‘ një veterani revolucionar. Portreti i tij duket sikur i lutet film-bërësit për të folur më shumë për humbjet; nga humbja e të birit, tek humbja e rrespektit, por kjo nuk ndodh, ose edhe kur ndodh është disi sipërfaqësore.

Ritmikisht, si regjisor i shumë videoklipeve, Zimny arrin të ruajë një bashkërendësi, një energji që shkrihet mes pamjeve arkivore dhe xhirimeve të posaçme. “Sly” përdoret prej tij si një seance psikoanalize për të kuptuar Stallonen i cili gabimisht barazon Rockyn dhe Rambon me krijime me të reja të tij siç është personazhi tek “The Expendables” (Nuk e di nëse ka prej jush që ju kujtohet emri personazhit të Stallones tek kjo seri e veteranëve të aksionit, të cilën shumica, me të drejtë, e kanë konsideruar qesharake). Ajo që mbase e pengon Zimnyn është kimia që duhet të kesh me protagonistin e veprës tënde biografike, ose mbase kur biografi nuk arrin të kapërcejë sindromën e tifozit.

Dokumentarët e natyrës së “Sly” janë të suksesshëm vetëm nëse arrijnë të disektojnë njëkohësisht jetën profesionale dhe atë personale të subjektit të tyre, diçka që kjo vepër dështon ta bëjë. Kapitujt e Rocky-t dhe Rambo-s janë të gjatë e të mbushur me hollësi të imta, po kaq do duhet të ishin edhe pjesët e tregimit të asaj që ndodhte kur reflektorët fikeshin. Po aq edhe kur fama e yllit të viteve ’80 do të niste të binte me kalimin e viteve, e futjen në dekada ku machismi apo patriarku nuk shihet më me sy aq të mirë sa në kohën e shkëlqimit të tij. Sepse një fije e hollë e ndan një biografi të ndershme, nga një seri e  Lavdi Udhëheqësit.

Sepse në fakt të gjithë do të vdesim një ditë, pavarësisht ideve, krijimeve të cilat do të jetojnë përgjithmonë. E atëhere kur e kemi rastin, kur dikush po bën një film për ne, që do të ngelet gjithmonë aty e që tregon kush ishim, a nuk do ishte më mirë ta kishim thënë gojën tonë. “Sly” qaset me joshjen e bërjes së Stallone-s të prekshëm, por rrugës bën të kundërtën e kësaj, duke lënë shumë pjesë të jetës apo karrierës së tij të mistershme, të paprekura, si një provë e shkuar dëm, diçka e tipit “Rocky V”.

“Sly” është në Netflix.