Aktualitet Bota Rajoni

Parlamenti Europian kërkon parandalimin e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor!

Në seancën plenare të Parlamentit Europian në Strasburg, sot pritet të votohet Rezoluta për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Europian. Kjo rezolutë fokusin kryesor do ta ketë në forcimin e rolit të BE-së në botë dhe përgjigjen që duhet dhënë në rrethanat e reja ndërkombëtare, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Në tekstin e propozuar, fillimisht të miratuar në Komisionin e Politikës së Jashtme, propozohet që në disa fusha në politikën e jashtme, Bashkimi Europian të votojë me shumicë të cilësuar, që votimi të jetë më efikas.

Në disa pjesë të projekt-rezolutës përmendet edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, nga ku kërkohet që BE-ja të përshpejtojë procesin e zgjerimit, si me vendet kandidate, ashtu edhe me kandidatët potencialë. Gjithashtu, në këtë propozim kërkohet që sa më parë të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës, si dhe përshëndetet nisja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Po ashtu përshëndetet dhënia e statusit të vendit kandidat për Bosnjën. Në disa pjesë të tekstit përmendet ndikimi negativ i Rusisë në rajonin e Ballkanit, me synim destabilizimin e rajonit, ndërsa bëhet thirrje që të parandalohet ky ndikim.

Në mënyrë të veçantë në tekst i bëhet thirrje Serbisë, vend kandidat për anëtarësim në BE, të respektojë vlerat europiane e të përshtasë politikën e saj të jashtme me të Unionit. Serbia vazhdon të jetë shteti i vetëm në rajon, i cili nuk i ka mbështetur sanksionet ndaj Rusisë. Po ashtu, thuhet se vazhdimi i negociatave të anëtarësimit me Serbinë do të bëhet vetëm pasi ky shtet të jetë në linjë të njëjtë me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.

Parlamenti Europian nënvizon se të gjitha vendet që duan të bashkohen me BE-në duhet në tërësi të përshtaten me vlerat themelore dhe politikat e përbashkëta lidhur me agresionin e paligjshëm të Rusisë ndaj Ukrainës. Rezoluta e propozuar bën thirrje edhe për masa ndaj atyre që rrezikojnë unitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës, e kërkohen sanksione ndaj liderit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik.

Parlamenti Europian përsërit thirrjen për miratimin e sanksioneve specifike kundër aktorëve destabilizues në Bosnjë, përfshirë ata që rrezikojnë sovranitetin e integritetin territorial, veçanërisht ndaj Milorad Dodikut. Ndonëse nuk përmendet në emër, nga Brukseli zyrtar dokumenti kërkon të nisë hetime të brendshme ndaj eurokomisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Parlamenti Europian mbetet thellësisht i shqetësuar për raportimet se qëllimisht, komisioneri për Zgjerimin bën përpjekje që të anashkalohet dhe ulet rëndësia qendrore e reformave demokratike e sundimi i ligjit në vendet që janë në proces anëtarësimi.