Art & Kulturë

Për 45 minuta, Pablo Piccaso “zbraz” Las Vegasin nga paratë!

Vetëm 45 minuta dhe 11 vepra të piktorit të famshëm spanjoll që pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Francë, u shitën për…109 milion dollarë në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara. Një dhuratë e çmuar, që vjen pak orë para se data të shënojë 25 tetor e që do të ishte ditëlindja e 140-të e piktorit kubist Pablo Picasso. Shifra shkoi përtej vlerësimeve origjinale.

Me të mbërritur nga Londra, presidenti i “Sotheby’s”, Oliver Barker, zhvilloi ankandin ndërsa punimet u ofruan nga MGM Resorts, pronari aktual i një prej tempujve të lojërave të fatit, që ishte sfondi i një vjedhjeje të famshme të artit, në filmin “Ocean’s Eleven”.

Me të ardhurat nga ankandi, MGM Resorts planifikon të diversifikojë koleksionet e tij, duke blerë vepra nga gra, artistë me ngjyrë dhe të tjerë, në përputhje me atë që shumë muzeume amerikane kanë bërë për muaj të tërë. Të 11 veprat ishin pjesë e koleksionit të mbledhur në 20 vjet nga biznesmeni i njohur amerikan Stephen Alan Wynn, koleksionues i veprave të artit, ndërsa gjysma e tyre u ekspozuan në restorantin e hotelit me emrin “Picasso”.

Për “Sotheby’s” ishte hera e parë që një ankand në Amerikën e Veriut u zhvillua jashtë selisë qendrore të Nju Jorkut, në York Avenue. Koleksioni mbulonte mbi 50 vjet realizime artistike nga mjeshtri i “Guernica”-s. Çmimi më i lartë u vendos nga një pikturë e vitit 1938: “Gruaja me një beretë portokalli”, që përshkruan ish-të dashurën dhe ish-muzën Marie-Thérèse Walter. Vepra u shit për 40.5 milion dollarë.