Aktualitet Bota

Përkujtimi i Holokaustit, kancelari Scholz përmend përgjegjësinë historike të Gjermanisë!

Sot në Ditën Botërore të Përkujtimit të Holokaustit, kancelari gjerman Olaf Scholz, përmendi përgjegjësinë historike të Gjermanisë për vrasjen e miliona hebrenjve në periudhën e nazizmit. Në një postim në Twitter, shkruan:

Vuajtjet e 6 milion hebrenjve të vrarë pafajësisht janë të paharruara ashtu sikurse vuajtjet e të mbijetuarve.

Viktimat e nacionalsocializmit përkujtohen sot në të gjithë Gjermaninë. Ndër të tjera, e mbijetuara e Holokaustit, Rozette Kats do të flasë në një orë përkujtimore në parlament. Presidentja e Bundestagut, Barbel Bas do të hapë veprimtarinë speciale, ku do të marrë pjesë edhe presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier. Përkujtimi i këtij viti fokusohet tek njerëzit e persekutuar nga nazistët për shkak të orientimit apo identitetit të tyre seksual.

Në vendin tonë, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u shpreh sot se “gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u shndërrua në strehë të sigurt për hebrenjtë, e vetmja në Europë ku numri i tyre pothuajse u 10-fishua pas luftës”.

Përkujtimi i krimit makabër të shfarosjes së 6 milion hebrenjve në kampet e përqendrimit gjatë një përndjekjeje sistematike dhe çnjerëzore është edhe forcim i vigjilencës sonë në luftën kundër çdo forme të antisemitizmit e urrejtjes racore. Kjo vigjilencë është bërë edhe më jetike sot, në kohën e një lufte në territorin europian me krime kundër njerëzimit nga një vend që duhet të ishte një nga garantët e rendit botëror, në kohën e rreziqeve të manipulimit të së vërtetës e të platformave sociale që po normalizojnë  retorikën që përhap gjuhën e urrejtjes, racizmit e intolerancës.

Na duhet më shumë se kurrë kjo mbrojtje që po i bëjmë sot vlerave të humanizmit, tolerancës, mosdiskriminimit. Mbrojtja e këtyre vlerave kërkon veprim konkret. Lufta ndaj antisemitizmit dhe çdo lloj forme tjetër të racizmit kërkon qasje aktive nga qeveritë për të ruajtur kujtimin e Holokaustit e për të edukuar me vlerat e humanizmit dhe antidiskriminimit, në shkolla, familje dhe komunitete.