Rajoni

Presidenti serb Vuçiç, “bisedë të hapur” me senatorët amerikanë për Kosovën!

Sot në një bisedë të hapur me senatorët amerikanë, Chris Murphy e Gary Peters në Beograd, presidenti Aleksander Vuçiç tha se “prioritet i Serbisë është formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë”. Ai u zotua të angazhohet për zbatimin e vendimit, “siç përcaktohet në Marrëveshjen e Brukselit”. Po ashtu ripërsëriti “vendosmërinë e Serbisë për të vazhduar zhvillimin e marrëdhënieve me SHBA-të”, kjo bazuar në respektin e mirëkuptimin reciprok.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç e anuloi takimin me senatorët amerikanë dhe që ishte planifikuar për mëngjesin e sotëm. Lajmin e dha Qeveria e Serbisë, por pa dhënë arsye për këtë anulim.

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç u takua me senatorët një ditë më parë, po në Beograd. Siç është raportuar, ata kanë biseduar për dialogun me Kosovën, politikën e jashtme dhe forcimin e partneritetit mes dy vendeve, Serbi-Amerikë.

Senatorët amerikanë po vizitojnë Ballkanin Perëndimor dhe deri më tani kanë vizituar Prishtinën, Podgoricën e Tiranën. Në vendin tonë takuan zyrtarët më të lartë të shtetit.

Në Prishtinë, pas takimeve me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, senatorët thanë se Serbia duhet t’i japë fund bllokadës në përpjekjet e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si dhe nënvizuan rëndësinë e formimit të Asociacionit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin në vitet 2013 e 2015. Por, marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Por, Kushtetuesja ka thënë se mund të harmonizohet me akte ligjore.

Serbia kërkon themelimin e Asociacionit, por qeveria në Prishtinë ka shprehur frikën se asociacioni njëetik mund të prekë funksionalitetin e shtetit.

Vizitat në Ballkan të senatorëve amerikane Murphy e Peters kanë si qëllim diskutimet me udhëheqësit e vendeve të rajonit mbi atë si SHBA-të mund të promovojnë stabilitetin e bashkëpunimin në rajon. Synohet të dërgohet mesazhi i fortë se Shtetet e Bashkuara janë investuar në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe mbështesin rrugën e tyre drejt integrimit europian.