Aktualitet Rajoni

Ditëlindja e Skënderbeut, aktivitete në Prishtinë!

Sot shënohen 619 vjet nga lindja e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës. I lindur më 6 maj të vitit 1405 në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit, Skënderbeu konsiderohet si një nga figurat më të shquara në historinë tonë e si themelues i shtetit mesjetar-shqiptar.

Gjergj Kastrioti hyri në histori si strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte e të shkatërronte taboret e ushtrisë osmane, më të organizuarat e më modernet e asaj kohe. Si një burrë i madh shteti, udhëhoqi luftën për pavarësi të kombit shqiptar kundër pushtuesit osman, si dhe punoi për bashkimin politiko-shtetëror.

Me Kuvendin e Lezhës, Gjergj Kastrioti Skënderbeu vuri themelet e një shteti Arbër të organizuar. Për 25 vjet me radhë, mbrojti lirinë e popullit e të vendit duke penguar përhapjen osmane drejt Europës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Europiane e të Papatit të Romës, po ashtu.

Emri i Skënderbeut ka qenë burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin e hapur, rrugën e përparimit. Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, populli shqiptar në çdo kohë ka shembullin, si dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, të atdhedashurisë, të harmonisë e të demokracisë.

Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve e për rritjen e vetëdijes kombëtare.

Në Prishtinë nuk mungojnë aktivitetet festive: 

Organizata Shqiptaria dhe Korporata Kryeziu, në bashkëpunim me shoqatat simotra Kufijtë e Arbrit, Lëvizja e Deçanit dhe mbështetur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së e Shoqata Artistët për Artistë, po organizojnë festimet për datëlindjen e heroit të madh kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeu, duke filluar nga ora 11:00 deri në orët e vona të natës në sheshin që mban emrin e heroit tonë të madh në Prishtinë.

​Në një simpozium shkencor në Institutin Albanologjik, studiues të ndryshëm do të prezantojnë punime rreth gjetjeve të reja mbi jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit. Ky simpozium pasohet nga hapja e një ekspozite arti, ku artistët shqiptarë paraqesin veprat e tyre kushtuar heronjve.

Programi vazhdon me një varg aktivitetesh festive e artistike që përfshijnë arritjen nga Prekazi në Prishtinë të pjesëmarrësve të një maratone, me Pishtarin e Lirisë. Po ashtu performancat e aktorit Xhevat Limani si Skënderbeu, prezantime nga klubi i pilotëve për të vijuar pasdite me performanca të këngëtarëve, ansambleve tradicionale shqiptare, si dhe shumë grupeve të muzikës rock e pop deri në orët e vona të natës.