Back to the Beginning

Renis Gjoka: “Media duhet të demaskojë klikimet false të pseudo-artistëve”

Një ndër personazhet më të dashur të showbiz-it shqiptar ju bashkua “Back To The Beginning” me Kozetën në episodin e radhës të këtij programi. Ishte një intervistë e shkurtër por me kujtime plot pasi Renisi na ktheu pas në kohë në daljet e tij të para në televizion dhe në radio. A e mbani mend dhe ju shfaqjen e tij të parë kur ishte pjesë e grupit “Burn” me një këngë shumë të dashur për kohën e quajtur “Ecim të dy”? Daljen e tij të parë ai e kujton me shumë emocion ndërkohë që rrugëtimi i tij në botën e medias dhe muzikës vazhdon.

Artisti, i cili tashmë është edhe babai i një vajze të vogël, tha se në Shqipëri është shumë e vështirë që grupet e muzikës, e në veçanti ato të rrokut, të vazhdojnë karrierën pa u shpërndarë. Kjo sepse vendi ynë nuk ofron shumë të ardhura për grupet e muzikës madje ata, si shumë artistë të tjerë nuk kanë një menaxher të mirëfilltë dhe gjithçka u duhet ta bëjnë vetë.

Nga ana tjetër, Renis Gjoka u shpreh shumë i irrituar pasi në Shqipëri janë shtuar në masë pseudo-artistët që gjithçka e blejnë me para. Famën e blejnë me para, fansat i blejnë me para, klikimet i kanë falso, mendon ai. “Jam shumë i irrituar me këta pseudo-artistë me klikime ‘fake’ dhe mendoj se është detyra e medias që t’i demaskojë. Kështu u hapet rruga artistëve të vërtetë, këta të tjerët nuk dinë të bëjnë asgjë” -u shpreh Renisi gjatë intervistës së tij.