Celebrities Film & Tv

“Roar”, novelat e një libri të dobët, bëhen një serial i shijueshëm. Kritikë.

Arsyet pse “Roar” të del në listën e gjërave për t’u parë janë disa. Seriali bazohet në një libër me novela të Cecelia Ahern (shkrimtarja që u bë shumë e famshme me “P.S. I Love You” apo “If You Could See me now”), ka për protagoniste Nicole Kidman, Issa Rae, Cynthia Erivo e të tjerë yje hollywood-i, dhe producentët janë ata të serisë jo pak të suksesshme të Netflix, Glow (2017 – 2019).

Titulli i çdo episodi është edhe përmbledhja e ndodhisë, madje aq jo-metaforik është ai, sa ndonjëherë nuk i lë vend fare imagjinatës. Një nga episodet, ai me Nicole Kidman, quhet “The Woman Who Ate Photographs”/”Gruaja që hante fotografi”, në të cilin personazhi që interpretohet nga Kidman, e cila përkujdeset për nënën e saj që vuan nga demenca, ha fotografi (literalisht) për të ndjerë nostalgjinë fuqimisht si visuale ashtu edhe fizike, njësoj si të ishte duke e ri-jetuar atë moment të viteve më parë. Ka sidoqoftë tituj që përziejnë metaforën dhe literalen bashkë si – “The Woman Who Found bite Marks on her Skin” / “Gruaja që gjeti shenja kafshimesh në trupin e saj”, ku personazhi i jetësuar nga Erivo, një grua në detyrë të lartë ekzekutive, mbasi kalon një lindje të vështirë, në kohën që i duhet të kthehet në punë, zgjohet çdo ditë me trupin e saj të mbuluar nga kafshime të gjakta e të dhimbshme, nga ato që lë ndjenja e fajit, një ndjenjë që njihet shumë mirë nga prindërit në karrierë. Është aq familjare kjo shije e hidhur e ‘braktisjes’, qoftë edhe për pak të të vegjëlve të tu për t’u marrë me punë, nga shumë prej nesh që kemi fëmijë. Nënat e jetojnë akoma edhe më shumë.

Në episodin e quajtur “The Woman Who Dissapeared” / “Gruaja që u zhduk”, Rae është një shkrimtare e një auto-biografie e cila po joshet nga producentë Hollywood-i për ta kthyer librin e saj në një film?!.. jo lojë të Realitetit Virtual (AR). Ajo fillon të ‘shpërbëhet’ kur përballet me tre burra të bardhë (stereotipi i përballjes së një afro-amerikaneje me të bardhët në SHBA). “The Woman who Was Fed Up by a Duck” / “Gruaja që u lodh nga një rosak” tregon historinë e një gruaje në një farë moshe luajtur nga Merrit Wever, e cila e lodhur nga burrat të nisë një marrëdhënie me një rosak të parkut ku shkonte çdo ditë për të studiuar. Marrëdhënia është tipike e rracës njerëzore. Nis si diçka ndryshe, ekzotike, digjet nga pasioni (po, ka një skenë erotike ku rosaku e bën Wever të arrijë orgazma të shumëfishta) dhe përfundon në një marrëdhënie agresive ndërvarësie, me një fund të pashmangshëm, të pritshëm.

Kështu edhe pse titujt metaforikë ose literalë tregojnë shumë dhe aspak, është interesante kur kupton thjeshtësinë e këtyre historive bazuar në klishe, por rrëfyer bukur. Çdo faqe e serialit i kushtohet një gruaje, e cila është – ose ndihet – e padëgjuar, e pa-përfillur, e pakonsideruar. Epitomi i “Roar” {gojës[ët] së shqyer që kërkon të ulërasë në siglën e serialit} është “The Woman Who Was Kept on a Shelf” / “Gruaja që mbahej në Raft” ku Betty Gilpin luan një ish modele e cila joshet nga një burrë me pushtet dhe me para. Ky i fundit vendos që ajo të jetë trofeu i tij, dhe i ndërton asaj një raft empirik në mes të murit të lartë të dhomës së tij të punës. Në një nga episodet më të bukura, fuqia e “Roar” (Ulëri) është pikërisht kjo, ti çosh përtej ato histori që i marrim të mirëqëna çdo ditë, të veshësh vulgaren me art.

Episodet më lart, apo “The Girl Who Loved Horses” si edhe ai më komiku, “The Woman Who Solved Her Own Murder”, janë shumë argëtuese, e duhet thënë edhe më argëtues se vetë libri ku bazohen. Janë të xhiruara me një ndjeshmëri të lartë artistike dhe me performanca që i kalojnë ato të ekranit të vogël të televizorit. Po ashtu fakti që e përbashkëta e tyre është vetëm tema dhe asgjë tjetër, të bën ti shijosh edhe më ndryshimin e çdo gjëje nga seria në seri.

Tek “The Woman Who Returned Her Husband” (episodi im i preferuar), një grua në moshën e tretë, kërkon të kthejë burrin e saj, pasi nuk e përmbushte më, ai nuk ishte më interesant, dhe vitet kishin bërë të vetën. Meera Syal realizon një shëmbyllturë të grave kudo-ndodhen në moshën e saj edhe pse realiteti që ajo jeton është një utopi.  Mbasi e shikon të vjen natyrshëm pyetja – a nuk do kishte qënë më mirë të ishte e vërtetë, që burrat të bliheshin në pazar?!.

Në frymën e Charlie Brooker – dhe “Black Mirror” të Netflix, “Roar” i AppleTv është absolutisht i këndshëm, argëtues dhe sfidues. Sigurisht mund të ishte shumë më tepër sesa një përkëdhelës i po sikur-eve të shoqërisë moderne, e rëndësishme është që funksionon. Provokon dhe e bën audiencën të mendojë. Kjo e fundit ka shumë vlerë…

Gjithmonë nëse ndodh… “Roar” i krijon të gjitha kushtet; mendjen e ndani ju…