Tech

Së shpejti në treg robotë që mund të nuhasin aromat!

Shkencëtarët besojnë se ndjenja e nuhatjes së një qeni është diku midis 10,000 dhe 100,000 herë më e saktë se ajo e njerëzve, sepse për çdo receptor të nuhatjes së erës që ka një njeri, një qen ka rreth 50. Tashmë, studiuesit në Universitetin e Tel Avivit, TAU, kanë zhvilluar një sensor biologjik, ndjeshmëria e të cilit ‘rivalizon’ atë të qenve.

Sensori dërgon sinjale elektrike si përgjigje ndaj pranisë së një ere aty pranë që roboti mund të zbulojë dhe interpretojë. Në këtë studim të ri, studiuesit lidhën me sukses sensorin biologjik me një sistem elektronik dhe duke përdorur një algoritëm të mësimit të makinës ishin në gjendje të identifikonin aromat me një nivel ndjeshmërie 10,000 herë më të lartë se ai i një pajisjeje elektronike të përdorur zakonisht.

Studiuesit besojnë se falë suksesit të kërkimit të tyre, kjo teknologji mund të përdoret edhe në të ardhmen për të identifikuar eksplozivët, barnat, sëmundjet dhe jo vetëm. Shkencëtarët vunë në dukje se, në përgjithësi, organet tona shqisore si syri, veshi dhe hunda, si dhe ato të të gjitha kafshëve të tjera, përdorin receptorë që identifikojnë dhe dallojnë sinjale të ndryshme.

Më pas, organi shqisor i përkthen këto gjetje në sinjale elektrike, të cilat truri i deshifron si informacion. Sfida e biosensorëve është në lidhjen e një organi shqisor, si hunda, me një sistem elektronik që di të dekodojë sinjalet elektrike të marra nga receptorët.

Rikujtojmë se, kompania “Boston Dynamics” nga Massachusetts ka publikuar së fundmi një video të robotit me dy këmbë, i cili vepron si një punëtor ndërtimi. Ai vrapon, kërcen, madje së fundmi mund të lëvizë edhe objekte, duke e bërë atë një ndihmës ideal në kantieret e ndërtimit. Në videon e fundit, roboti i quajtur “Atlas” shihet duke vendosur objekte mbi skelë, mban një çantë me mjete, ndërsa kryen edhe kërcime mbi skela.