Aktualitet Politikë Rajoni

Shkarkimi i Shqiprim Arifit si kryetar i Preshevës / Berisha: Akt brutal albanofob i ‘Putinit’ të vogël Vuçiç

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj shkarkimit të Shqiprim Arifit si kryetar i Komunës së Preshevës, një ditë më parë.

“Presidenti i serbomadhisë Alekseandër Vuçiç në një akt albanofobik primitiv, shkarkoi në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën e Serbisë, Kryetarin e Komunës së Preshevës z. Shqiprim Arifi vetëm e vetëm se ai vendosi në dritare të Komunës flamurin kombëtar shqiptar”, shkruan Berisha.

“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë akt albanofob racist të Putinit të vogël ndaj kryetarit të zgjedhur me votën e qytetarëve të Komunës së Preshevës z. Arifi dhe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë me forcë këtë akt brutal antidemokratik të serbomadhit Vuçiç si një akt të mirëfilltë destabilzues që shpreh urrejtjen e tij primitive ndaj simboleve dhe identitetit të kombit shqiptar”, shkruan ish-kryeministri Berisha.

Arifi e konsideroi shkarkimin e tij si një mënyrë të dhunshme, nga autoritetet serbe me urdhër të presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Sipas tij, shkarkimi nga kryetar i komunës së Preshevës u bë në mënyrë arbitrare dhe duke mos ndjekur asnjë procedurë ligjore, si dhe pa asnjë njoftim zyrtar.

“Ka disa kohë që Vuçiç kërcënon publikisht shqiptarët e Luginës së Preshevës…. Me këto veprime raciste antishqiptare që janë trashëgimi e politikave të regjimit të Millosheviçit, Serbia e sotshme e Vuçiçit dëshmon tani më 3 dekada e më shumë, se shqiptarët nuk i konsideron si qenie njerëzore dhe asesi qytetarë të barabartë në Serbi. Diskriminimi ndaj shqiptarëve është agjendë e pandërprerë e politikave të Vuçiçit dhe Serbisë së tij pro-ruse.”

Presheva është një prej tri komunave në jug të Serbisë, ku popullsia shumicë është shqiptare.

Shqiptarët në Serbi janë pakicat e katërt kombëtare, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të vitit 2022. Në këtë shtet jetojnë 61.687 shqiptarë.

Partitë politikë dhe banorët shqiptarë shpesh janë ankuar se autoritetet serbe po tentojnë të ulin numrin e shqiptarëve që jetojnë në Serbi, përmes pasivizimit të adresave të tyre.